Egla Ceno shpreh ngushëllimet për vdekjen e vëllait të Gjestit: Bëhu i fortë, sidomos për nënën!
Aktorja Egla Ceno ka reaguar publikisht pas humbjes tragjike të vëllait të reperit Gjesti, Eldion Kelmendi, i cili ndërroi jetë pas një aksidenti me motor në fshatin Treboviq të Pejës.
Në një mesazh të ndarë dhe emocionues në rrjetet sociale, Egla Ceno i drejtohet Gjestit dhe familjes së tij me fjalë të ngrohta dhe ngushëlluese: “Gjest, vëllain tënd të vogël e njohëm nëpërmjet ekranit dhe në këtë dhimbje të madhe për ty dhe familjen tënde, çdo fjalë ngushëllimi tingëllon e vogël. Bëhu i fortë, sidomos për nënën. Një përqafim zemre për familjen Kelmendi.”![]()
Ngjarja ka tronditur publikun shqiptar dhe komunitetin artistik, duke hapur një valë reagimesh në rrjetet sociale nga kolegë, fansa dhe figura të njohura. Varrimi i Eldion Kelmendit është planifikuar për sot, më 27 shtator, në ora 17:00, në varrezat e fshatit Pavlan të Pejës, sipas njoftimit të shpërndarë nga ekipi i Gjestit.
Si ndodhi aksidenti?
Aksidenti i rëndë ndodhi në fshatin Qungur në komunën e Pejës pasditen e djeshme, ku si pasojë ka humbur jetën Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur nga Peja, Gjesti dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Mësohet se i riu ka ndërruar jetë në vendngjarje. Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00, kur një veturë është përplasur me një motor. Po ashtu, është raportuar se një tjetër banor i fshatit me iniciale K.B është lënduar rëndë dhe aktualisht ndodhet në trajtim në spitalin e Pejës. Banorët e zonës prej të cilëve u mësuan detajet kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë kërkuar që të zbardhen sa më parë rrethanat e aksidentit.
