FOTO/ Një Milan “luanësh”, tre ekipe në krye të Serie A, Allegri “thyen” Conten (VIDEO)
Një “djall” si Allegri i jep fund ecurisë perfekte të Contes në Serie A. Nuk ishte një sfidë përcaktuese për fatet e titullit, por pa diskutim ishte një sfidë shumë e rëndësishme, mbi të gjitha për kuqezinjtë që vërtetuan se janë një skuadër me shumë potencial, e aftë të rivalizojë deri në fund. Në “San Siro”, Milan tregoi karakter, klas dhe një ekip kompakt që di të vuajë, të mbrojë rezultatin pasi suksesi 2-1 ndaj Napolit i vendos në krye të Serie A me 12 pikë, po aq sa dhe blutë dhe Roma. Pulisic ishte njeriu i ndeshjes, autor i një asisti dhe një goli.
Në minutën e 3-të, “Kapiten Amerika”, shpërtheu në krah, parakalojë të gjithë prapavijën e Napolit duke futur një top të pastër në shtyllën e dytë për Saelemaekrs, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë duke bërë që “San Siro” të shpërthente në festë. Në minutën e 31-të, këtë herë Pulisic u shërbye në zonë nga Fofana dhe me një goditje të fortë dyfishoi shifrat.
Me fillimin e pjesës së dytë, ky takim nisi të ndërlikohej për Milan, me “djallin” që mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Estupinan. Jo vetëm kaq, por De Bruyne u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke ngushtuar shifrat në 2-1. Napoli kishte të gjithë kohën për t’u rikthyer në lojë, të paktën të shmangte këtë humbje, por gjetën një mbrojtje “blind”, me Milan që mbrojti në çdo formë këtë fitore të madhe, e katërta radhazi në Serie A duke bërë që në fund festa të ishte e gjitha për tifozët kuqezinj:
“Milan prej luanësh”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë. “Është edhe Max e Gasperini. Tre ekipe në krye”, ishte kryesor i Corriere dello Sport.
()
© BalkanWeb