Amorim “në fije të perit”, shtohet presioni tek United, ja alternativat e portugezit
Manchester United nuk po jep sinjale të ndryshimit pozitiv edhe këtë sezon, me skuadrën e Ruben Amorim, që në 6 javët e para në Premier League ka arritur të koleksionojë vetëm 7 pikë. Një ritëm aspak i kënaqshëm që nuk lë shumë shpresa tek tifozët e “Djajëve të Kuq”, se ky sezon mund të shënojë rikthimin e skuadrës së tyre në majat e futbollit anglez.
Për këtë shkak presioni mbi trajnerin Ruben Amorim po rritet nga java në javë. Pavarësisht dëshirës së klubit për stabilitet dhe vazhdimësi, rezultatet zhgënjyese kanë hapur diskutime të brendshme për të ardhmen e tij.
Pronari minoritar Sir Jim Ratcliffe është i rezervuar për një shkarkim të parakohshëm, jo vetëm për shkak të kostos prej 12 milionë paund që do të sillte një largim, por edhe për të mos prishur vizionin afatgjatë të ndërtuar rreth filozofisë së trajnerit portugez.
Ndërkohë, këmbëngulja e Amorim për të mos hequr dorë nga skema e tij 3-4-2-1 po sjell pakënaqësi te drejtuesit. Humbja 3-1 ndaj Brentford ka rënduar edhe më shumë situatën, dhe ndeshja e radhës ndaj Sunderland shihet si test vendimtar.
Zyrtarisht, United mohon se po përgatit një listë pasuesish, por emrat e Oliver Glasner, Gareth Southgate dhe Andoni Iraola po përfliten në prapaskenë.
Klubi ende beson se skuadra ka potencial dhe kërkon progres të shpejtë, me kualifikimin në Champions League si objektivin kryesor. Tani, të gjitha sytë janë te Old Trafford, ku fati i Amorim mund të përcaktohet nga një tjetër 90-minutësh kritik.
© BalkanWeb