Valë dëmtimesh tek Anglia, por Tuchel nuk shqetësohet: Kemi ekip të shkëlqyer
Me 5 fitore në 5 ndeshje, 15 pikë të plota, 13 gola të shënuar 0 të pësuar, Anglia vijon ecurinë perfekte me Tuchel në stol në kualifikueset e Botërorit. Më 9 tetor, në Wembley, Anglia pret Uellsin në një test miqësor, ndërsa më 14 tetor luan kundër Letonisë në Riga.
Trajneri Tuchel bëri publike këtë të premte edhe listën me lojtarët e ftuar për këto dy takime ku bie në sy mungesa e disa lojtarëve të rëndësishëm, pjesa më e madhe të dëmtuar. Kështu trajneri Tuchel duhet të bëjë llogaritë pa Tino Livramento, Phil Foden, Cole Palmer, Jude Bellingham dhe Noni Madueke. Ndërkohë, rikthehet pas një kohë të gjatë në ekipin përfaqësues edhe sulmuesi i Arsenal, Bukayo Saka.

Pavarësisht mungesave, trajneri Tuchel nuk u shfaq i shqetësuar në konferencë për shtyp, ekipi i tij po funksionon në mënyrë të shkëlqyer dhe këtë e vërtetuan në Beograd ku triumfuan përballë Serbisë me rezultatin e thellë 5-0: “Ka kaluar vetëm një muaj nga ndeshja e fundit, arritëm një rezultat të shkëlqyer, kundër një rivali të fortë, kjo për meritë të lojës që zhvilluam. Për këtë arsye kemi vendosur të ftojmë të njëjtët lojtarë. Ne tashmë kemi vendosur një standard. Ndaj Uellsit do të jetë një derbi i bukur, përballë një publiku fantastik. Këto dy ndeshje kanë shumë rëndësi për ne”, u shpreh Tuchel.
()
© BalkanWeb