Komeditë sportive pushtojnë Hollywood-in: “Chad Powers” shndërrohet në serial
Komeditë sportive po përjetojnë një bum të madh në Hollywood. Që prej suksesit global të serialit Ted Lasso në Apple TV, platformat e transmetimit janë vënë në garë për të gjetur historinë e radhës që përzien humorin me emocionin. Hulu beson se e ka gjetur formulën e duhur me Chad Powers, një komedi të re futbolli ku protagonist është aktori Glen Powell.
Ideja për serialin lindi nga një moment i papritur: në vitin 2022, ish-quarterback-u Eli Manning u maskua si “Chad Powers” për një skeç që u bë viral. I veshur me paruke, mustaqe dhe proteza, ai u prezantua si një lojtar i panjohur në provat e Penn State, duke i habitur lojtarët dhe stafin me aftësi të jashtëzakonshme. Vetëm trajneri James Franklin e dinte të vërtetën. Personazhi imagjinar mori jetë dhe u kthye në një fenomen në rrjete sociale.
Në adaptimin televiziv, Powell interpreton Russ Holliday, një talent i dikurshëm i Universitetit të Oregonit që humbi shansin për lavdi pas një “gabimi të pafalshëm”. Tani, pas tetë vitesh, ai rikthehet në futboll nën identitetin e ri të Chad Powers-it, duke iu bashkuar ekipit të South Georgia Catfish. Seriali është prodhuar nga Omaha Productions, me vëllezërit Peyton dhe Eli Manning si producentë ekzekutivë.
I njohur për rolet në Top Gun: Maverick dhe Anyone But You, Powell e mori seriozisht rolin, duke u trajnuar si një quarterback i vërtetë. Një tifoz i Texas Longhorns, ai u stërvit me ndihmën e vëllezërve Manning dhe trajnerit personal të Patrick Mahomes. “Ata më shpëtuan jetën. Më mësuan çfarë bën e çfarë nuk bën një quarterback i vërtetë”, tha aktori në Good Morning America. Eli Manning, me humor, shtoi në The Tonight Show: “Chad do të kishte hyrë në ekip, por nuk është i kualifikuar.”
Përveç Powell, seriali sjell një kast të gjerë: Steve Zahn, Toby Huss, Perry Matfield, Clayne Crawford, Wynn Everett, Colton Ryan, Frankie A. Rodriguez, Xavier Mills, Quentin Plair dhe Keese Wilson. Për më tepër, tifozët e sportit do të kënaqen me paraqitjet e veçanta të emrave të njohur të ESPN, si Chris Fowler, Kirk Herbstreit dhe Marty Smith, të cilët luajnë vetveten.