Sat, Oct 4, 2025

“Ju dua, më vjen keq”, momenti kur Sean ‘Diddy’ Combs dënohet me mbi katër vjet burg

  • PublishedOctober 4, 2025

“Ju dua, më vjen keq”, momenti kur Sean ‘Diddy’ Combs dënohet me mbi katër vjet burg

Tre muaj pasi u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe shantazhit, reperi dhe producenti amerikan Sean “Diddy” Combs është dënuar me mbi katër vjet burg nga një gjykatë federale në Manhattan. Vendimi u shpall të premten nga gjykatësi Arun Subramanian, i cili theksoi se “veprat e tij dëmtuan në mënyrë të pariparueshme dy gra”, duke refuzuar kërkesat e mbrojtjes për një dënim më të butë.

Combs, 55 vjeç, u shpall fajtor për transportim për qëllime prostitucioni, por u lirua nga akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe shantazhit që mund t’i kishin sjellë dënim të përjetshëm. Në sallën e gjyqit, ai u tregua i qetë dhe pa emocione, por në një moment u kthye nga familja e tij dhe tha: “Ju dua, më vjen keq”, ndërsa dhjetëra të afërm shpërthyen në lot, raportoi BBC.

Avokatët dhe fëmijët e tij e përshkruan Combs-in si një “njeri të ndryshuar”, duke kërkuar mëshirë, por gjykatësi nënvizoi se “as fama dhe as veprat e mira nuk mund të fshijnë të kaluarën”. Duke folur për herë të parë para gjykatës, reperi pranoi fajin dhe i kërkoi falje nënës dhe familjes: “E zhgënjeva si bir”.

Pas shpalljes së dënimit, ai u përqafua me familjarët përpara se të shoqërohej përsëri drejt burgut federal në Brooklyn – një fund i hidhur për një proces gjyqësor që ka tronditur njërën nga figurat më të njohura të muzikës hip-hop.