Sat, Oct 4, 2025

Ndërron jetë aktori i njohur italian, ikona e serialit “La Piovra”

  • PublishedOctober 4, 2025

Ndërron jetë aktori i njohur italian, ikona e serialit “La Piovra”

Aktori i njohur italian Remo Girone ka ndërruar jetë më 3 tetor 2025, në moshën 76-vjeçare, në shtëpinë e tij në Monako. Lajmi i ndarjes nga jeta ka tronditur botën e artit dhe miliona fansa në mbarë botën, përfshirë publikun shqiptar, që e identifikon prej dekadash me rolin e paharrueshëm të Tano Cariddi në serialin legjendar La Piovra.

I lindur më 1 dhjetor 1948 në Asmara, Eritre, dhe rritur në një familje italiane, Girone e nisi karrierën artistike që në moshë të re. Në moshën 13-vjeçare, ai u transferua në Romë dhe ndoqi studimet në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike “Silvio D’Amico”, ku u diplomua si aktor profesionist.

Karriera e tij spikati jo vetëm në Itali, por edhe në skenën ndërkombëtare, në teatër, kinema dhe televizion. Përveç suksesit në La Piovra, ai interpretoi role të njohura në filma si Ford v Ferrari (2019), ku portretizoi Enzo Ferrarin, dhe Live by Night (2016), si dhe në seriale si Killing Eve dhe The Equalizer 3 (2023). Talentin e tij e njohën edhe festivalet prestigjioze: në 2021, Girone u nderua me Çmimin për arritje në karrierë në Festivalin e Filmit të Venecias dhe me Çmimin e jetës në Festivalin Flaiano.

Girone ishte i martuar me aktoren Victoria Zinny që nga viti 1982 dhe kishin një vajzë, Veronica. Përmes dhuratës së tij artistike dhe rolet e paharrueshme, Remo Girone mbetet një figurë e jashtëzakonshme e artit dramatik italian dhe një ikonë për publikun global.