Sat, Oct 4, 2025

Rita Ora zbulon sekretin e fillimeve të saj: motra si “dublante” në intervista

  • PublishedOctober 4, 2025

Rita Ora zbulon sekretin e fillimeve të saj: motra si “dublante” në intervista

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka zbuluar një detaj gazmor nga fillimet e karrierës së saj gjatë një interviste për BBC Radio 2. Artistja foli për këngën e saj më të fundit, “All Natural”, e cila është pritur ngrohtë nga publiku dhe kritika, por edhe për një episod interesant nga vitet e para të famës.

Gazetari e pyeti nëse është e vërtetë që në periudha me shumë angazhime, Rita kishte përdorur motrën e saj, Elena, si “doppelganger” për të dhënë disa intervista në telefon. Zërat e tyre janë pothuajse identikë, gjë që e bëri këtë strategji të mundshme.

Me të qeshur, Rita pranoi historinë: “Po, është e vërtetë. Elena është motra ime, e njeh mirë çdo detaj për mua, kështu që i thoja: ‘Hajde, bëje një telefonatë për Zelandën e Re, unë po bëj një tjetër për Australinë!’ Dhe ajo thoshte: ‘Përshëndetje, jam Rita Ora!’”

Këngëtarja shtoi me humor se disa radio ndoshta as nuk kuptuan se po flisnin me motrën e saj: “Ndoshta Elena ka dhënë tërë intervista për stacione të tëra radioje në Australi e Zelandën e Re duke u prezantuar si unë,” – tregoi ajo duke qeshur.

Rita shpjegoi se kjo praktikë ishte e domosdoshme për të përballuar ritmin e ngarkuar të karrierës së saj në fillimet e saj. Ky episod jo vetëm që tregon dinamizmin e saj, por edhe lidhjen e veçantë me motrën Elena, e cila në fakt bëri pjesë të sukseseve të para të Rita Orës.