Ish-ylli i NFL, Mark Sanchez, plagoset dhe arrestohet pas incidentit me thikë
Ish-ylli i NFL, Mark Sanchez, është arrestuar pas një incidenti të ndodhur në Indianapolis, ku ai vetë ka mbetur i plagosur me thikë. Sipas njoftimit të Policisë Metropolitane të Indianapolis (IMPD), të shtunën, më 4 tetor, 38-vjeçari u arrestua në një spital lokal dhe akuzohet për tre kundërvajtje: dhunë me dëmtim, hyrje të paligjshme në një automjet dhe dehje në publik. Ai ndodhet ende në spital dhe nuk është transferuar në burg.
Në deklaratën e saj, IMPD theksoi se “të gjitha palët e përfshira janë identifikuar dhe nuk po kërkohen individë të tjerë. Zyra e Prokurorit të Qarkut Marion do të marrë vendimin përfundimtar për akuzat. Një arrestim është vetëm një akuzë dhe Sanchez duhet të konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet nga gjykata”.
Incidenti ndodhi rreth orës 00:00 të së shtunës dhe përfshinte dy burra të rritur, ku njëri pësoi plagë prerjeje dhe tjetri dëmtime të ngjashme me plagë me thikë. Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një konflikt të izoluar dhe jo për një akt dhune të rastësishëm.
Sanchez ndodhej në Indianapolis për një paraqitje të planifikuar si komentator i FOX Sports për ndeshjen Indianapolis Colts–Las Vegas Raiders, që do të luhej më 5 tetor në “Lucas Oil Stadium”. FOX Sports konfirmoi lajmin për plagosjen e tij dhe tha se po monitoron gjendjen shëndetësore të ish-lojtarit. Ai mbetet në spital në gjendje stabile.