Mon, Oct 6, 2025

FOTO/ “Nuk ishim të këqij”, Allegri e sheh gotën gjysmë plot, Tudor: A ndihem i rrezikuar? (VIDEO)

  • PublishedOctober 6, 2025

FOTO/ “Nuk ishim të këqij”, Allegri e sheh gotën gjysmë plot, Tudor: A ndihem i rrezikuar? (VIDEO)

Pak raste, pak spektakël dhe shumë frikë për të mos humbur, në fund, Juve-Milan ndanë nga një pikë për të cilën festojnë Napoli dhe Roma. Kryefjala e super sfidës së javës së 6-ët ishte Max Allegri, me ish trajnerin që u nderua nga tifozët e “Zonjës së Vjetër” në këtë rikthim në Torino.

Në “Stadium”, dy “bigët” e Serie A u kujdesën më shumë për të mos i lejuar raste rivalit, mbi të gjitha në pjesën e parë ku ndeshja u zhvillua në mesfushë, e luftuar për çdo top.

Situata ndryshoi në fraksionin e dytë, ku fillimisht ishte Mike Maignan i cili vuri në jetë një mrekulli të vërtetë duke ndalur nga shumë pranë goditjen e Gatti-t. Në minutën e 52-të, Gimenez fitoi një penallti për faull në zonë. Nga pika e bardhe, Pulisic gaboi, me topin që përfundoi mbi traversë, një detaj të cilin Allegri as që preferoi ta shikojë. “Djalli” shtoi ritmin në përpjekje për të gjetur golin e fitores, me Leon që shpërdoroi dy raste të pastra për gol. Fillimisht në shtyllën e dytë, shumë pranë vijës fatale gjuajti keq, duke mos gjetur kuadratin, ndërsa në fund, u shërbye pastër nga Modric, por sërish nuk ishte i saktë me Di Gregorio-n që mbajti portën të paprekur. Në fund, asnjë nga dy ekipet nuk festoi për këtë “X” pa gola, nuk feston Juve që vijon ecurinë negative, por nuk feston as Milan që lëshon kreun.

Për Tudor, situata sa vjen e rëndohet pasi kjo ishte ndeshja e 5-të radhazi pa fitore: “Rezultoi një ndeshje ashtu siç e prisnim, e vështirë, kundër një rivali të fortë. Dëshironim të fitonim, por barazimi është një rezultat real. Si ndihet Tudor? Igor ndihet mirë. Me dy gola më shumë do kishim dy fitore më shumë, do të ishte perfektë. Kemi këto rezultate që kemi, përfshi këtu edhe defektet tona, por është mirë edhe kështu. Ne do të jemi gjithnjë mes më të mirëve”, u shpreh Igor Tudor pas ndeshjes.

Ndryshe nga Tudor, Allegri sheh të dy anët e medaljes, ndërsa komenti i tij i parë shkoi për penalltinë e humbur nga Pulisic: “As që e pashë, por penalltia në vetvete nuk është një gabim, penalltitë edhe mund të humben. Aspekti pozitiv është që nuk pësuam gol, e shtuam ecurinë pozitive. Pjesa negative është që në disa momente duhet të jemi të këqij, të insistojmë për të gjetur golin”, u shpreh Allegri.

La Gazzetta
La Gazzetta

“Kush arratiset e kush gabon. Milan flak 3 pikët, Juve falënderon. Napoli e Roma përmbysin dhe qëndrojnë në krye”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë.

()

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net