Para se të ndërronte jetë, Ozzy Osbourne i dedikoi fjalët më të ndjera Sharonit: Pa të, s’do isha gjallë
Në dokumentarin e ri Ozzy: No Escape from Now, legjenda e rock-ut Ozzy Osbourne reflekton mbi jetën, karrierën dhe dashurinë e tij të madhe, bashkëshorten Sharon Osbourne. Dokumentari pasqyron momentet e fundit të këngëtarit të Black Sabbath, përfshirë koncertin e tij të lamtumirës më 5 korrik, vetëm disa javë para se ai të ndërronte jetë në moshën 76-vjeçare.
Në skenën e koncertit në Birmingham, Ozzy ngjitet mbi një platformë si një mbret në fron, ndërsa publiku shpërthen në duartrokitje dhe lot. “Jam i emocionuar. Është hera e fundit. Vetëm shpresoj të mos mendoj për Sharon, sepse do të shpërthej në lot,” thotë ai, duke iu referuar bashkëshortes së tij prej 43 vitesh.
Sharon, 72 vjeç, tregon në dokumentar: “Më tha natën para koncertit: ‘Mendoj se do të qaj nesër.’ Dhe i thashë, ‘Sigurisht që do qash. Të gjithë do qajmë.’”
Ozzy shpreh se Sharon ishte arsyeja pse ai ia doli deri në fund. “Po të mos ishte për Sharon, unë nuk do isha gjallë. Do isha nën dhe. Ajo më shpëtoi jetën,” thotë ai.
Pas vdekjes së tij nga një atak kardiak më 22 korrik, mijëra fansa në Birmingham i dhanë lamtumirën, ndërsa familja e tij kërkoi privatësi në këtë kohë të dhimbshme.