Thu, Oct 9, 2025

Ekstradimi nga Dubai në Shqipëri, publikohen pamjet kur Cllevio mbërrin në Rinas

  • PublishedOctober 9, 2025

Ekstradimi nga Dubai në Shqipëri, publikohen pamjet kur Cllevio mbërrin në Rinas

Mbrëmjen e së mërkurës është finalizuar një nga operacionet e profilit të lartë të Policisë së Shtetit, që solli në Shqipëri ekstradimin e reperit Kleviol Ahmetaj, i njohur ndryshe me emrin artistik “Cllevio”. 39-vjeçari, me origjinë nga Lushnja, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale, përfshirë përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë.

Autoritetet shqiptare kishin lëshuar urdhër arresti ndaj tij pas vendimeve të Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe Gjykatës së Fierit, të cilat e kishin dënuar për përndjekje të vazhdueshme ndaj këngëtarit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe familjes së tij. Akuza përfshin ngacmime të përsëritura fizike dhe sulme verbale në rrjetet sociale.

Gjykata e Apelit në vitin 2024 i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa më herët, Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 9 muaj burg për largim nga vendqëndrimi i caktuar me vendim gjyqësor.

Arrestimi i Ahmetajt u realizua në Dubai në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Interpolit shqiptar dhe zyrës homologe në Abu Dhabi.

Pas ekstradimit të suksesshëm, pritet që Cllevio të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat e ngritura ndaj tij. Rasti i Cllevios rikthen në vëmendje diskutimin për përhapjen e përndjekjes në rrjetet sociale dhe pasojat ligjore që sjell.
https://youtube.com/shorts/qdUQ-J1r0AE?si=qj5mU3J35ZwjLkfx