Sun, Oct 12, 2025

Oborri Mbretëror Shqiptar njofton fejesën e Princ Lekës II me Blerta Celibashin

  • PublishedOctober 12, 2025

Oborri Mbretëror Shqiptar njofton fejesën e Princ Lekës II me Blerta Celibashin

Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar ditën e sotme fejesën e Princit të Kurorës, Leka II i Shqiptarëve, me Blerta Celibashi. Lajmi u bë publik përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale të Princ Lekës, ku theksohet se ceremonia intime e fejesës është mbajtur më 11 tetor 2025 në Ksamil, në Jug të Shqipërisë.

“Familja Mbretërore ka kënaqësinë të njoftojë fejesën e Lartmadhërisë së Tij, Princit të Kurorës Leka II i Shqiptarëve me Zonjushën Blerta Celibashi. Fejesa u kremtua me gëzim më 11 tetor 2025, në Ksamil, në Jug të Shqipërisë, në praninë e familjarëve dhe miqve të ngushtë,” thuhet në njoftim.

Më tej, në komunikatën e Oborrit Mbretëror shtohet: “Familja Mbretërore ndan lumturinë e saj me popullin shqiptar dhe shpreh mirënjohjen më të përzemërt për të gjithë ata që kanë përcjellë urimet e tyre të mira në këtë rast të gëzueshëm.”

Në foton e publikuar bashkë me njoftimin, çifti shfaqet në një ambient elegant e të ndritshëm, duke mbajtur duart e njëri-tjetrit dhe duke buzëqeshur plot dashuri. Blerta shfaqet me një fustan krem të gjatë e me stil minimalist, ndërsa Princi Leka II me një kostum klasik blu të errët dhe kravatë të çelët, duke reflektuar përkushtim dhe harmoni në çdo detaj.

Ky është kapitulli i ri në jetën e Princ Lekës II, pas ndarjes së tij nga ish-bashkëshortja Elia Zaharia.