Ish-kryeministri kanadez dhe Katy Perry shfaqen duke u puthur në jahtin e saj
Pas muajsh thashethemesh, është bërë zyrtare: këngëtarja e njohur amerikane Katy Perry dhe ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau janë në një lidhje dashurie. Sipas raportimeve të The Mail on Sunday, çifti është parë duke shijuar momente intime në jahtin luksoz të Perry-t, Caravelle, pranë brigjeve të Santa Barbara-s në Kaliforni.
Fotografitë e publikuara tregojnë Perry-n, e veshur me një kostum banje elegant ngjyrë të zezë, duke u përqafuar dhe puthur me Trudeau-n në kuvertën e sipërme të jahtit, pa u shqetësuar nga turistët që kalonin aty pranë.
Ky është konfirmimi i parë publik i një romance që deri tani kishte mbetur vetëm në nivel spekulimesh.
Zërat për një lidhje midis tyre nisën që në korrik, kur ata u panë duke darkuar në mënyrë intime në restorantin Le Violon në Montreal. Megjithatë, as Perry dhe as Trudeau nuk komentuan mbi marrëdhënien e tyre deri më tani.
Trudeau u nda nga bashkëshortja e tij, Sophie Grégoire, në gusht të vitit 2023, pas 18 vitesh martesë. Ata kanë tre fëmijë: Xavier (18 vjeç), Ella-Grace (16 vjeç) dhe Hadrien (11 vjeç). Nga ana tjetër, Katy Perry është nënë e një vajze pesëvjeçare, Daisy Dove Bloom, që ka me aktorin Orlando Bloom. Ajo ishte e martuar më parë me komedianin Russell Brand nga viti 2010 deri më 2012.
Burime pranë çiftit kanë treguar për Mail se romanca është ende në fazat e para, por ndjenjat janë të forta.
“Katy është shumë e interesuar për të,’- ka thënë një burim. “Ajo e konsideron Justin-in një njeri me shumë cilësi. E pëlqen shumë. Dhe ndjenja është e ndërsjellë.”