Tue, Oct 14, 2025

Si i shkojnë punët shqiptare Krasznahorkai-t

  • PublishedOctober 14, 2025
Si i shkojnë punët shqiptare Krasznahorkai-t

Dy romanet e parë të László Krasznahorkai-t që botuesi i tij shqiptar i “Aleph”-it, Gentian Çoçoli, kishte lexuar në anglisht, ishin “Melankolia e qëndresës” dhe “Tangoja e Satanait”. Vendosi t’i botojë duke pasur parasysh një lexues si vetja, që është lexuesi që do jazz-in, muzikën klasike, që i pëlqen shëtitja, që është një lloj materie që kërkon mirëqenien shpirtërore të të jetuarit. Mbas këtij roli iluzor ka rendur “Aleph”-i që prej krijimit, në prill të vitit 1996.

“Edhe ata dyqind lexues të Krasznahorkai-t do ishin një nukël shumë e mirë për të ndryshuar pak nga pak një mënyrë të menduari, që të bënte një lloj oponence jo në vetvete, jo që ta kish për qëllim, po për të treguar që ka edhe një mënyrë tjetër të jetuari.”

Botuesi i thotë këto në të ecur e sipër, pasi ka dorëzuar në librarinë qendrore të Tiranës një duzinë “Satantango”, një ditë pas Nobelit për Letërsinë, ndërsa kapërcenim zinxhirin e kafeneve, një formë sanduiçi i marinuar bollëku njerëzor, midis librarisë më të madhe në vend dhe Teatrit të Operës, për ta vazhduar bisedën në oborrin e brendshëm, ku një parking i ngjeshur makinash pret të bëhet korridor i Sheshit “Skënderbej”, që vazhdon gëlltit miliarda në vite (vite të gjata sa luftrat e heroit kombëtar me pushtuesin).

Nga këtu shihet ana e pasme e fasadave të qendrës historike të kryeqytetit rrethuar me kulla, hija e tyre që shtyp Bibliotekën Kombëtare në plogështi të pandalshme, bashkë me të quajturin Pallat Kulture në tharje. Botuesi flet me BIRN-in për prezencën e Krasznahorkai-t në shqipe dhe çfarë efekti mund të kenë akte kulturore si Nobeli në perspektivën e lexuesve, që kërkojnë nga letërsia të jetë e mirë dhe e shkëlqyer dhe të ofrojë zgjidhje për gjërat.

“Ne që kemi pasur përvojën e të jetuarit nën diktaturë, kemi disa çelësa ose kode që mund të hyjmë më shpejt në veprën e këtij autori, sesa një lexues spanjoll apo francez. Mund ta përfytyrojmë më shpejt botën e Krasznahorkai-t, që është një botë e zymtë dhe e vetmuar. Mjaft të shikojmë stilin e jetës së tij që është stili i të shkruarit, i të menduarit, është vetë karakteri. Ai ka kaluar zgripin e jetës, që e çoi në zgripin e gjuhës, sepse këto janë të lidhura në mënyrë fatale, natyrale, biologjike. Nuk mund të arrish në një zhvendosje të tillë tektonike gjuhe, siç na e prezanton ai në veprën e vet, nëse nuk ke shkuar në zgrip të jetës. Shumë nuk kthehen nga ato zgripe, por ai që kthehet, bie xhevahire gjuhe.”

Si lexues dhe si poet, Çoçoli është i mahnitur nga një stil gjuhësor, që nuk mund të vijë kurrë nga akademitë apo hollet universitare. Në botë mund të konstatosh kollaj me dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë, ku talenti dhe teknika është vështirë të ndahen. Ka qindra kurse ku ofrohet mësimi i teknikave të shkrimtarisë – dikur ishte fenomeni i Institutit Gorki dhe i disa universiteteve amerikane – është si një grip botëror. A thua të bën ajo, teknika, shkrimtar.

Si autor që vjen nga Mitteleuropa, Krasznahorkai ka njohur komunizmin, represionin, diktaturën, pushtimin rus. “Ai është një i mbijetuar”, vazhdon Çoçoli, “dhe në këtë anije të madhe ideologjike, që u mbyt, arriti të shpëtojë jetën e vet dhe me letërsinë arriti të na japë dëshmi të këtij triumfi vetjak. Kështu e kam parë gjithmonë.”

Për jetën endacake dhe punët e çuditshme që ka bërë në periudhën pas studimeve për gjuhë dhe letërsi hungareze dhe shërbimit të detyruar ushtarak, kohë që i paraprin shkrimtarisë, Krasznahorkai flet në intervistën për “The Paris Review” (2018). I lindur në vitin 1954 në Gyula, një qytet i vogël 190 km larg Budapestit, në një familje me rrënjë çifute, ai vinte nga një botë borgjeze, “ku teoria komuniste nuk luajti kurrë ndonjë rol. Ne, familja ime, ishim socialdemokratë”. Në rininë e hershme bënte muzikë, luante në piano në një jazz band dhe këndonte në një grup rock-u.

“Është e vështirë të shpjegosh pse shija jonë në muzikë nën sistemin sovjetik ishte kaq e përsosur”, thotë ai. “Koncertet tona ishin festa për njerëzit e klasës punëtore. Kohët e fundit gjeta një copë letër me titujt e këngëve që luanim, dhe kishim absolutisht shijen më të mirë.” Muzikën që pëlqenin e regjistronin fshehurazi direkt nga Radio Free Europe apo Radio Luksemburgu. Po edhe lidhja me muzikën klasike, me Bach-un dhe muzikën barok në mënyrë të veçantë, me harmoninë dhe strukturën e ndërlikuar, ndjehet në ritmin dhe tempin e letërsisë së Krasznahorkai-t. Rënia e muzikës dhe e letërsisë në tërësi, ai beson se ka kaluar nëpër një proces të gjatë vulgarizimi të shoqërive moderne dhe kjo nuk shënon aq fitoren e kulturës masive, sesa fitoren e parasë.

Në Hungarinë e viteve shtatëdhjetë, qarkullonte pa problem letërsia perëndimore me autorë si William Faulkner, Franz Kafka, Rilke, Arthur Miller, Marcel Proust, Samuel Beckett, “pothuajse çdo javë kishte një kryevepër të re. Meqenëse nuk mund të botonin veprat e tyre nën regjimin komunist, shkrimtarët dhe poetët më të mëdhenj u bënë përkthyes. Kjo është arsyeja pse kishim përkthime të mrekullueshme të Shekspirit, Dantes, Homerit dhe të çdo shkrimtari të madh amerikan, nga Faulkner-i e tutje”.

Krasznahorkai kaloi një kohë të gjatë në provinca e fshatra duke bërë punë të rastit, si minator, roje lopësh, drejtues në shtëpi kulture, një jetë kjo që e mbante larg familjes borgjeze, të varfër por me shumë lexime, gjithnjë me një Dostojevsk në xhep. Në këto rrethana, ndoqi traditën e letërsisë hungareze të gjenive të vërtetë që ishin pijanecë. Pijanec i çmendur u bë dhe ai, duke jetuar gjithmonë në tranzit midis qyteteve, në stacione treni dhe bare natën, duke vëzhguar njerëzit, duke folur me ta. Ngadalë, filloi të shkruajë në kokë romanin e parë, për jetën në një katund të rrënuar, “Tangoja e Satanait”, që u botua në vitin 1985 dhe u prit si sensacion letrar në vend.

Botuesi Gentian Çoçoli në librarinë Adrion në Tiranë. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

“Unë kurrë nuk kam qenë vërtet pjesë e jetës letrare”, thotë ai, “sepse nuk mund ta pranoja të isha shkrimtar në kuptimin shoqëror. Kurrë nuk kam bërë ndonjë demonstrim politik… Brezi im ishte i pari që, jo vetëm nuk besonte në teorinë komuniste apo marksizmin, por i dukej qesharake dhe e turpshme. Fundi i këtij sistemi politik ishte një mrekulli. Nuk do ta harroj kurrë shijen e lirisë politike. Kjo është arsyeja pse tani kam shtetësi gjermane, sepse për mua Bashkimi Europian do të thotë, mbi të gjitha, liri politike kundër budallallëkut agresiv që tani është zot i Europës Lindore.” Ky pohim mund të lexohet qartë si qëndrim kundër politikave të Viktor Orban-it, i cili e uronte këto ditë në rrjetet sociale Krasznahorkai-n që e “bën krenar kombin tonë”.

Dyzet vjet pas botimit të romanit të parë, Akademia Suedeze pa në letërsinë e tij një vepër “bindëse dhe vizionare që, në mes të tmerrit apokaliptik, pohon sërish fuqinë e artit”. Ai kishte fituar ndërkaq çmime të rëndësishme si Man Booker International Prize (2015). Shtypi britanik kujtonte së fundi se, deri në vitin 2006, nuk kishte asgjë të botuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Krasznahorkai, sepse konsiderohej i vështirë. Gjermania ka qenë vendi i parë që e ka botuar qysh herët dhe, si për ironi, më të vonuarit kanë qenë Suedia dhe Franca. Në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, ka shumë mundësi që ai të jetë njohur para se të përkthehej, falë admirimit cinephile për Béla Tarr-in, filmat e të cilit bazohen në romanet e mikut të tij Krasznahorkai ose në subjekte të shkruara enkas për Tarr-in. “Damnation” (1988), “The Last Boat-City Life” (1990), “Satantango” (1994), “The man from London” (2007) apo “The turin horse” (2011), janë klasikë të kinemasë botërore tanimë.

Anëtarët e Akademisë Suedeze kanë dhënë një guidë leximi për veprat e nobelistit 2025. Steve Sem-Sandberg propozon ta filloni nga “Tangoja e Satanait”, një roman që parashikoi rënien e regjimit komunist në Hungari. Është historia e Irimias dhe Petrinës, të cilët mbërrijnë në një fshat punëtorësh të çuditshëm dhe të varfër dhe i tërheqin këta njerëz në një valle apokaliptike me pasoja të tmerrshme. Një roman i zymtë në sipërfaqe, por i mbushur me humorin karakteristik të Krasznahorkai-t.

Anders Olsson zgjedh “Seibo aty poshtë” (2008), shtatëmbëdhjetë episode rreth rolit të artit në një botë vuajtjesh dhe përkohësie. Ai e vlerëson Krasznahorkai-n, jo vetëm si shkrimtar i madh epik në traditën e autorëve të absurdit të Europës Qendrore, që shtrihet nga Kafka tek Thomas Bernhard-i, po edhe për një ndjenjë të re që e gjen në këtë roman, që vjen nga udhëtimet e shkrimtarit në Kinë dhe Japoni në fillim të shekullit të 21-të.

Anna-Karin Palm propozon një nga romanet e fundit, “Herscht 07769” (2021), i ambientuar në një qytet të vogël në Gjermaninë Lindore, ku fillojnë të ndodhin gjëra të çuditshme. Frika dhe dyshimi kërcënojnë jetën e qetë të përditshme. Perspektivat mitologjike bashkëjetojnë me ato realiste në një prozë muzikalisht të rrjedhshme dhe të gjallë. Ngrohtësia e thjeshtë njerëzore shfaqet krah për krah me dhunën dhe bukuria dhe rregulli sublim, që përfaqëson muzika e Bahut, tingëllon si ëndërr e largët gjatë gjithë romanit.

Botuesi shqiptar mendon se të nëntë librat e nobelistit të ri janë mahnitës, janë vepra me erudicion, sepse Krasznahorkai është aq pranë klasikëve të filozofisë budiste sa edhe me traditën intelektuale europiane.

“Letërsia e Europës Qendrore asnjëherë nuk u ka ikur temave të mëdha. Në këtë kontekst rri ky autor, heronjtë e të cilit janë pikërisht Bernhard-i dhe Handke-ja, autorë me përvoja radikale, që iu kundërvunë një Austrie post-fashiste, që mundohej të fshihte të kaluarën që prodhoi fashizmin.”

Ai i propozon lexuesit ta fillojë njohjen me “Satantangon”, një vepër e shkruar para se të hidhej në letër, e konceptuar për dekadat në vazhdim, nga ky shkrimtar me vizione mbiletrare. “Mendoj që është udhërrëfyesi i duhur ky roman, që e ka shpëtuar autorin nga ajo lloj jete ku vetëshkatërrimi është i garantuar. Menjëherë pas tij, sugjeroj “Melankolinë…” që është libri i dytë kronologjikisht.”

“Melankolia e qëndresës” botuar shqip në 2019-ën, është përkthim nga frëngjishtja i Romeo Çollakut dhe “Tangoja e Satanait”, botim i 2023-shit është përkthyer nga italishtja nga Shpëtim Kelmendi. Të dyja veprat, për fat të keq, janë përkthyer nga gjuhë të dyta.

“Menjëherë kjo ma heq një spaletë”, thotë jo pa ironi Çoçoli. Ai kthehet vite mbrapa, kur konstatohej mungesa e përkthyesve shqiptarë nga gjuhë të rralla dhe nga nevoja për të përkthyer nga origjinali Hajdegerin, Kierkegardin, Ibsenin, Bernhard-in, i kërkohej Ministrisë së Kulturës të investonte me bursa për të krijuar një brez përkthyesish për gjuhë të veçanta. Është problem që e kanë edhe gjuhë të tjera, e duke marrë parasysh këtë, Krasznahorkai, sqaron Çoçoli, “ka lënë porosi, që përkthimet të bëhen nga frëngjishtja, po edhe nga italishtja, si gjuhë që kanë një traditë të pasur përkthimesh nga hungarishtja”.

Përveç talentit të dy përkthyesve që janë shkrimtarë me emër të letërsisë së sotme shqiptare, “Aleph”-i ka përdorur në këtë rast edhe kompetencën e një lexuesi hije, e një artisti shqiptar, Ilir Dragovoja, që është qytetar hungarez.

Në treg

Menaxheri i librarisë Adrion, Enriko Paja. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

Krasznahorkai është hungarezi i dytë që ka fituar Nobelin, pas Imre Kertész-it, i njohur në shqipe vetëm me “Romani i një të pafati”, si shumë të tjerë që janë përkthyer në vrullin e parë të jehonës së Nobelit ose krejt aksidentalisht, për arsye jashtëletrare, siç ka ndodhur me Han Kang-un, nobelistja e vitit të kaluar nga Koreja e Jugut, e njohur tek ne për “Vegjetarianen”. “Po kemi shitur edhe në anglisht, pas Nobelit”, thotë për BIRN-in Enriko Paja, menaxher i librarisë “Adrion”, “si në rastin e poetes amerikane Louise Glück apo të shkrimtarit nga Zanzibari Abdulrazak Gurnah, nga i cili kemi qarkulluar romanin Paradise.”

Sipas të dhënave nga kjo librari, rezulton se, një nga nobelistët me disa qindra kopje të shitura të jetë polakja Olga Tokarczuk, me romanet “Kaloje plugun mbi kockat e të vdekurve” (i botuar dy herë), “Shtërgjet”, “Empuzion” dhe “Sonatë për shumë tamburë”. Tokarczuk ka pasur fat, sepse për ta sjellë në shqipe nga origjinali kanë punuar paralelisht dy përkthyes mjaft të mirë. Pastaj me kalimin e viteve, shitjet bien.

Kazuo Ishiguro ruan një trend shitjeje të vazhdueshëm me romanet “Mos më ler të shkoj”, “Dita e mbetur”, “Gjiganti i fjetur”. “Janë jo pak gjimnazistë që kanë një kulturë leximi të mirëformuar që vijnë të kërkojnë nobelistë”, thotë Paja. “Ka lexues, ku fus edhe veten, që ndjekin autorë të çmimeve të tjera prestigjioze si Goncourt apo Renaudot, por më në masë janë lexuesit që ndjekin Nobelin. Aktualisht, jemi në një periudhë ku lexohen zhanret fantazi, dark fantasy, romancë. Çdo muaj ne bëjmë bilance shitjesh dhe shohim sa kanë ecur kategori të caktuara, po në të njëjtin muaj vitin e kaluar. Nëse romanca ka rritje, porositim pak më shumë romancë. Por prirja është ajo që thashë, shtoji kësaj hera-herës një shije për të shkuar drejt gotikes dhe mitologjikes, që mendoj se është veçse trend i momentit.”

Nga fituesit e dekadës së fundit, bilancin më të zymtë rezulton ta ketë Jon Fosse, Nobeli norvegjez i 2023-shit, të cilit “Aleph”-i i ka botuar “Trilogjinë”. Deri dje, pa u shpallur Nobeli, nuk kanë qenë më shumë entuziaste kopjet e shitura nga Krasznahorkai, përveç faktit që e kanë blerë ata që janë lexues besnikë dhe “Aleph”-i “ka vërtet lexues besnikë”, shton Paja. Një nga klubet e librit në Tiranë e ka pasur pjesë të programit të leximit për një muaj. “Shyqyr që kemi disa klube libri në qytet, mund të jenë 10 të tilla, me 30-40 anëtarë, të cilët e zgjedhin bashkërisht veprën e radhës për lexime kolektive dhe vijnë ta tërheqin librin në grupe. E kanë bërë vitin e kaluar me Krasznahorkai-n”.

Klima e përgjithshme në vend ka një ndikim të drejtpërdrejt në kulturën e librit dhe të leximit, përpos politikave që nuk ndjekin ata që paguhen për këtë punë. Çoçoli kujton ditën kur Peter Handke-ja fitoi Nobelin. Dhe ç’bëri kryeministri Rama? E sulmoi antishqiptarin, turpin e Nobelit, “siç tha dhe për Trump-in”. Mbas tij e sulmoi një shtëpi e madhe botuese, që kishte kërkuar një grant ndërkaq për ta botuar si autor, dhe në fund, Kadareja i vuri vulën.

“Ç’mund të themi për Ezra Pound-in, që donin ta varnin për këmbësh, pse duhet ta botojmë? Po Koliqin, që quhet kolaboracionist, pse duhet ta botojmë? Po krijohej një precedent i rrezikshëm dhe një panik i tillë, sa u detyrova ta heq nga qarkullimi për disa kohë romanin “Mëngjarashja” dhe kam refuzuar dhjetëra telefonata nga libraritë që e kërkonin.” I kujtohet dhe kjo situatë në një banak. Dy persona duke parë kopertinën: “Çfarë maskarai ky botuesi! Ka botuar foton e vajzës së antishqiptarit.” Në fakt, ishte zgjedhur fotoja e një aktoreje franceze. “Kjo ngjarje tregoi një fytyrë që Shqipëria e tregon herë pas herë. Në vend të pjekurisë dhe emancipimit, bën hapa që e çojnë dekada mbrapa.”

Ministria e Kulturës nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, mendon se botuesit, të mëdhenj a të vegjël, janë shkathtësuar dhe ia dalin me grantet. Botuesi i “Aleph”-it thotë “jo”. Grantet mund të mbulojnë 1/3 e shpenzimeve, për autorë si Krasznahorkai, që gjithmonë janë kërcënim buxhetor për çdo botues: vetëm përkthimi shkon 2500 euro, e drejta e autorit 1000 euro, shtypi 1500 euro, dizajneri po ashtu, është zë për t’u paguar. “Dhe ku jemi? Do shiten 200 kopje në disa vite. Sapo të tregova një faturë të vogël se çfarë mund të nxjerrësh nga një autor i tillë. Duhet mbështetja e shtetit, qoftë kjo mbështetje për të paguar të drejtat e autorit. Nuk po lypim, po botojmë autorë që Shqipëria mund të shkonte që nesër në Panairin e Frankfurtit, të kishte këtë dhe autorë të tjerë dhe të ishte krejt në rregull. Pra, e integruar me autorë të rëndësishëm të epokës, me performancë të mirë edhe të dizajnit të librit, edhe të etikës së botimit.” Çoçoli e quan botimin një akt moral, ku merr peshë pavarësia, pasja e një axhendë botimi që nuk e kushtëzon askush, as kërcënimi për botim. Ai e di edhe për 10-vjeçarin e ardhshëm se çfarë autorësh do të botojë dhe si këta autorë lidhen me njëri-tjetrin. Për shembull, është duke përgatitur prurjen e autorit austriak Hermann Broch. Do duhen disa vite punë që pastaj, me këtë ekonomi qesharke, ai të shitet 10 kopje në vit. Shteti nuk merr përsipër asgjë, kur jemi një vend me traditë botimi dhe përkthimi. “Ka një Qendër Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe drejtoresha nuk e di se çfarë mbulon institucioni i saj. E shikon kudo: te Libri Akademik, shkencor, në promovime libri që sqarojnë kishte apo jo luftë civile në Shqipëri. Çdo lek që del për qëllime të tjera jashtë fokusit të Qendrës, është për shkak të mangësisë së një drejtoreshe që ka aq vite aty dhe ende nuk e di që mbulon vetëm librin artistik. Qendra e Librit ka lënë folenë, ka lënë librin shqip, pa folur për fondin qesharak. Është një katastrofë që nuk ka shërim.”

Gentian Çoçoli është i përgatitur për bilance më të zymta që shkojnë përtej nobelistëve. Fjala vjen, “Zhdukja” e Guido Morselli-t është shitur 5 kopje në 2 vjet. Ky është nga ata autorë që quhen tradhëtarë të brezit të vet dhe ka bërë letërsi mahnitëse në vitet 1950-’70, pak i njohur dhe në Itali. Lexuesit blejnë edhe të tjerë autorë të vështirë. Këtu, botuesi i “Aleph”-it, gjen rastin të kujtojë fjalët e Brodskij-t që thotë se, vetëm 2% e lexuesit të përgjithshëm lexon letërsi të mirë. “Kjo është e vërtetë për çdo kohë dhe për çdo vend. Gjithçka tjetër është marketing, iluzion dhe një lloj propagande. Për mua rëndësi ka impakti, jo kopjet e shitura.” Ai beson se 200 kopjet e shitura në 6 vjet nga Krasznahorkai, që mund të duket shifër modeste, janë blerë nga lexues të sofistikuar. Dhe do të shohë, nëse do të ketë buxhet për një libër të ri nga autori hungarez. Nëse po, do të ishte “Seibo aty poshtë” ose “Luftë dhe luftë”.