Organizatorët e Eurovisionit shtyjnë votimin për përfshirjen e Izraelit në konkursin e vitit të ardhshëm
Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka shtyrë marrjen e një vendimi për pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovisionin 2026, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Takimi virtual i planifikuar për në nëntor është anuluar, ndërsa kjo çështje do të shqyrtohet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së në muajin dhjetor.
Vendimi vjen mes rritjes së presionit nga disa vende pjesëmarrëse, si Spanja, Irlanda, Sllovenia, Islanda dhe Hollanda, të cilat kanë paralajmëruar mundësinë e bojkotimit të konkursit nëse Izraeli përfshihet. Sipas këtyre shteteve, pjesëmarrja e Izraelit është problematike për shkak të konfliktit të përshkallëzuar në Rripin e Gazës.
Transmetuesi austriak ORF, i cili do të presë edicionin e ardhshëm të Eurovisionit, e mirëpriti vendimin e EBU-së dhe theksoi se muzika dhe artet nuk duhet të bëhen mjet për sanksione politike. Sipas tyre, konkursi duhet të mbetet një platformë e unitetit kulturor.
Ndërkohë, transmetuesi izraelit Kan ka deklaruar se Izraeli mbetet i përkushtuar për të marrë pjesë në konkurs. Ata kujtuan suksesin e fundit të përfaqësuesit Yuval Raphael, i cili fitoi më së shumti vota nga publiku, ndonëse fituese u shpall Austria për shkak të pikëve të jurisë.
EBU thekson se shtyrja ka për qëllim një debat të hapur mes anëtarëve për të ardhmen e konkursit.