U kualifikuan me spektakël, “tremb” Tuchel: Nuk e di si do sillemi tani
6 ndeshje 6 fitore, 18 pikë të plota, 18 gola të shënuar 0 të pësuar. Ekipi i Thomas Tuchel është thjesht perfekt në çdo aspekt, kualifikohet si e para në Grupin K, por tani tifozët kuqezi janë “sy e veshë” nga sfida e 13 nëntorit, ku në Londër “Tre Luanët” presin Serbinë. Të gjithë shpresojnë që Anglia të gjejë motivin e duhur për të ndalur serbët edhe pse në dy sfida e fundit, Tuchel dhe djemtë e tij nuk kanë asnjë objektiv në letër, në një kohë kur e rezervuan biletën për në Amerikë dy xhiro përpara fundit.
Antony Gorden hapi siparin e golave përballë Letonisë në minutën e 25-të, ndërsa më pas stafetën e mori Harry Kane, me kapitenin që realizoi një “dopietë” golash brenda pjesës së parë. Fillimisht me një goditje perfekte në kufijtë e zonës së rreptësisë, ndërsa më pas u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në fraksionin e dytë miqtë shënuan në portën e tyre, ndërsa në minutën e 86-të ishte Eze që kompletoi “manitën” e golave.
Pas ndeshjes, trajneri Tuchel e kishte të vështirë të shpjegojë se si do të sillet ekipi i tij në dy ndeshjet e fundit, por është i bindur se do të jenë sërish konkurrues: “E dimë që jemi të kualifikuar, por nuk jam i sigurt nëse kjo ndryshon diçka në procesin tonë të rritjes, ndoshta po, por këtë do ta kuptojmë në vijim. Kam nevojë të shijoj këtë moment, është diçka e veçantë të kualifikohesh për në Botëror, nuk është diçka që ndodh shpesh. Ndoshta do të na jepet mundësia të provojmë disa gjëra, por ne do të qëndrojmë konkurrues pavarësisht se si do t’i organizojmë këto dy ndeshje. Ajo që po ndërtojmë është diçka e çmuar dhe nuk do të rrezikojmë”, u shpreh Tuchel pas ndeshjes.
()
© BalkanWeb