Victoria’s Secret e refuzoi sepse ka kancer: letra prekëse e Bianca Balti që tronditi botën e modës
Pas rikthimit të shumëpërfolur të sfilatës Victoria’s Secret pas gjashtë vjetësh, një nga momentet më të rëndësishme të ngjarjes erdhi nga një letër e hapur e modeles italiane, Bianca Balti. Balti, e cila ka luftuar dhe mposhtur kancerin, shprehu shqetësimin e saj pasi kërkesa e saj për të ecur në pasarelë në shenjë mbështetjeje për gratë që luftojnë me kancerin u refuzua nga Victoria’s Secret.
Në një postim të ndjerë në kanalin e saj Substack, Bianca tregoi se pas diagnozës me kancer të vezoreve në vitin 2024, ajo kishte kaluar një periudhë të vështirë, përfshirë një mastektomi parandaluese dhe kimioterapi. Ajo e ndau këtë përvojë me publikun, duke postuar fotografi dhe video të momenteve më të ndjeshme të luftës së saj për jetën, duke u bërë një inspirim për shumë gra në mbarë botën.
Gjatë periudhës së trajtimit, Bianca mori guximin të kërkonte mundësinë për të ecur në pasarelë në emër të të gjitha grave që po luftojnë me kancerin. “Nuk e di saktësisht nga më erdhi guximi, por e bëra. Çfarë kam për të humbur?”, shkroi ajo në letrën e saj. Megjithatë, kërkesa e saj përfshinte një simbol të fuqishëm: të shfaqte forcën dhe guximin e grave që përballen me sëmundjen.
Kjo letra e hapur u bë një thirrje për përfshirje dhe mbështetje për të gjitha gratë që kanë kaluar përmes luftës me kancerin, duke theksuar se sfilatat e modës duhet të përfshijnë dhe nderojnë këto gra të jashtëzakonshme. Ndërsa Victoria’s Secret festoi diversitetin në sfilatën e saj, shumë njerëz vlerësuan guximin e Biancës për të ngritur zërin e atyre që shpesh harrohen në industrinë e modës.
“E dashur Victoria’s Secret,
Gjatë viteve të fundit, kam ndjekur transformimin e bukur të markës suaj, një dëshmi e vërtetë e përkushtimit ndaj diversitetit dhe përfshirjes. Kam parë gra të të gjitha përmasave, prejardhjeve etnike, gjinive dhe moshave që shfaqen në fushatat dhe sfilatat tuaja. Kur pashë njoftimin se Victoria’s Secret Fashion Show po kthehet këtë vit, ndjeva diçka të fortë: edhe unë i përkas atje.
Përfshirja do të thotë ta bësh publikun të ndihet i parë. Dhe e vërteta është – një në tre gra do të përballet me kancer gjatë jetës. Një në tetë do të përballet me kancer gjiri. Mijëra do të përballen me kancer të vezoreve. Unë jam njëra prej tyre. Që nga momenti kur mora diagnozën vitin e kaluar, jam bërë zëri i qindra grave. Më shkruajnë çdo ditë gra në trajtim, të mbijetuara, nëna, madje edhe fëmijë që luftojnë me kancerin dhe më thonë se t’i shohin mua duke ndarë përvojën time, duke u shfaqur në televizion pa parukë dhe duke pranuar plagët e mia, u jep atyre shpresë.“
E di nga përvoja personale sa shumë na nevojitet dikush që mund ta admirojmë kur ndihemi të thyer. Këtë e kam mësuar shumë kohë më parë, kur 12 vjet më parë u çlirova nga varësia – shërohemi kur shohim prova se përparimi është i mundur. Më 14 tetor festoj një vit nga seanca ime e parë e kimioterapisë. Më 15 tetor, sfilata juaj kthehet gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Jeta nuk krijon momente të tilla rastësisht.
Nuk jam më e reja, nuk kam format më të bukura, ndoshta nuk jam në formën më të mirë. Por jam e fortë, e guximshme dhe gjallë dhe ende jashtëzakonisht seksi. I mbaj plagët e mia me krenari dhe tregoj me dashuri flokët e mi të rinj. Pjesëmarrja ime në atë pasarelë nuk do të ishte vetëm përmbushje e një ëndrre personale; ajo do të dërgonte një mesazh për miliona gra: “Jeta vazhdon pavarësisht vështirësive. Nuk je më pak grua. Je e plotë. Je seksi. Je e pathyeshme. Unë jam dëshmia e gjallë e kësaj.
Po kthehesha nga Java e Modës kur pashë një postim në Instagram që njoftonte rikthimin e sfilatës Victoria’s Secret. Fotografia më ndaloi menjëherë: një rresht grash të mrekullueshme, të gjitha aq të ndryshme nga njëra-tjetra. Pikërisht atë pasarelë e kisha ecur para 20 vitesh, në vitin 2005, kur dola nga një kuti e madhe festive së bashku me Gisele Bündchen, Adriana Limën, Alessandra Ambrosio dhe pjesën tjetër të Engjëjve origjinalë. Atëherë standardet e bukurisë ishin: shumë e bardhë, shumë e hollë dhe shumë e re. Sot, industria ka ndryshuar, dhe Victoria’s Secret gjithashtu.
Ndërsa e shkruaj këtë, po e shoh Precious Lee, vetë mbretëreshën, duke njoftuar se do të ecë në sfilatën e këtij viti. Ajo emocionohet ndërsa flet për rëndësinë që ka për të, si grua me ngjyrë, të jetë e dukshme. “Përfaqësimi nuk është opsional“, thotë ajo. “Ka të bëjë me paraardhësit e mi dhe me të gjithë ata që duken si unë.“ Këto fjalë më prekën thellë. Përfaqësimi nuk është opsional as për mua, dhe nuk ka të bëjë vetëm me mua.Edhe unë duhej të isha pjesë e sfilatës së këtij viti. Jo (vetëm) sepse jam e bukur, por sepse përfaqësoj miliona gra që kanë, kanë pasur ose do të kenë kancer. Dua t’u tregoj se diagnoza nuk është fundi i bukurisë, vetëbesimit apo ndjeshmërisë. Që plagët nuk e fshijnë atë që jemi. Që jeta pas kancerit mund të jetë e guximshme dhe e plotë.
Gjatë 21 viteve të karrierës sime, kam qenë pjesë e një industrie që shpesh e ka kufizuar konceptin e bukurisë. E bardhë, e hollë, e re – muza që përshtatej në atë version. Por kuptimin e vërtetë të përfaqësimit nuk e kuptova derisa mora diagnozën. Kur humba flokët dhe fitova plagët, refuzova të zhdukem. Unë isha ende Bianca. Ende me vlerë.
Kur pashë atë imazh: gjashtë gra, tre ngjyra lëkure, një transgjinore, tri plus-size, tri mbi të dyzetat, kuptova diçka shumë të thjeshtë dhe të fuqishme edhe unë duhet të jem atje. Si dikush që mbështet, mbron dhe ngre të tjerat. Asnjë paciente që mbijeton nga kanceri nuk përpiqet vetëm të mbijetojë. Ne përpiqemi të lulëzojmë. Sepse lulëzimi do të thotë gëzim, vetëbesim, guxim për të parë veten në pasqyrë dhe për të parë jo vetëm plagët, por forcën.
Victoria’s Secret më është përgjigjur me mirësjellje: “Ju falënderojmë shumë, por këtë vit nuk është e mundur.” Dhe kjo është në rregull. Kastingu tashmë ishte përfunduar. Këtë hap e ndërmora sepse, që kur u sëmura, e ndiej përgjegjësinë të sjell shpresë jo vetëm për gratë me kancer, por për të gjithë ata që mësojnë të jetojnë sërish pas vështirësive. E provova. Nuk ndodhi. Por nuk pendohem.
Kanceri më ka mësuar se jeta është shumë e shkurtër për të mos provuar dhe se përpjekja nuk të dëmton kurrë. Victoria’s Secret, ju lutem, mos u shqetësoni – nuk e mora personalisht. Para diagnozës, as unë nuk e dija sa shumë gra kalojnë të njëjtën gjë. Kurrë nuk është vonë. Numri i rasteve rritet çdo vit, dhe gratë që blejnë produktet tuaja janë po ato që marrin diagnozën e kancerit. Ne jemi publiku juaj. Ne jemi klientet tuaja. Ne jemi motrat, nënat dhe vajzat tuaja. Dhe do të ishim jashtëzakonisht krenare të përfaqësonim veten si gra të guximshme, të bukura dhe të gjalla.“