Lojërat e tavolinës në territorin shqiptar përgjatë antikitetit dhe mesjetës
Tematikat studimore mbi lojërat në antikitet përbëjnë ndër aspektet më pak të trajtuara në arkeologjinë shqiptare. Në ato pak raste kur këto çështje përmenden, zakonisht bëhet fjalë për paraqitjen e strukturave arkitektonike të destinuara për organizimin e lojërave, si amfiteatro apo stadiume. Ndërkaq, lojërat e tavolinës kanë mbetur pothuajse krejtësisht jashtë vëmendjes së studiuesve dhe, për rrjedhojë, edhe të publikut të gjerë. Gjurmët arkeologjike të lidhura me këto lojëra janë të panjohura, pak të ruajtura dhe rrallëherë tërheqin vëmendjen.
Në këtë kontekst, do të ofrojmë për lexuesin disa të dhëna me interes mbi objekte të lidhura me lojërat e tavolinës, të luajtura në Durrësin antik, por edhe në qytete të tjera të Ilirisë Jugore. Së pari, duhet të qartësojmë një mungesë të madhe në këtë fushë: bëhet fjalë për mospërcjelljen e emërtimeve të këtyre lojërave nga ilirishtja, si dhe për mungesën e informacionit mbi rregullat e lojës. Për rrjedhojë, ndërsa kemi objekte që lidhen me lojërat e tavolinës gjatë antikitetit dhe mesjetës, për emërtimet dhe mënyrën se si luheshin ato jemi të detyruar të drejtohemi tek tekstet e ruajtura të autorëve antikë grekë dhe romakë.
Në tekstet e autorëve antikë hasen herë pas here përmendje të lojërave të tavolinës. Këta autorë bëjnë dallimin mes lojërave të kumarit dhe lojërave të tjera zbavitëse. Lojërat e kumarit, të quajtura alea, denoheshin moralisht gjatë antikitetit. Këto lojëra luheshin kryesisht duke përdorur zarë, siç dëshmohet edhe në burimet antike (Herodoti 1.63; Plutarku, Antonius; Suetonius, Caligula 71; Juvinal, 1.88-92; Martialis 15.15).
Sipas Platonit (Phaidros 274D), i cili përcjell traditën egjiptiane, perëndia Thot ishte shpikësi i lojës me zarë. Ndërsa, sipas Pausaniasit (10.31), shpikësi ishte një grek, Palamedi. Herodoti (1.94.1-7) thekson se banorët e Lydisë krijuan lojërat në kohën e mbretit Atys. Ky mendim kundërshtohet nga Athenaeus (Deipnosophistae 1.19a), i cili përmend origjinën «heroike» të lojërave, shumë kohë para mbretit Atys të Lydisë. Këto kundërthënie ndër autorët antikë tregojnë se origjina e lojërave është e hershme dhe se ato u përhapën në të gjithë Mesdheun, duke e bërë të pamundur përcaktimin e saktë të krijuesit të rregullave të lojës.
Për lojërat e kumarit u morën edhe masa parandaluese nga Senati romak, të cilat, megjithatë, duket se nuk zbatoheshin me rigorozitet, pasi edhe vetë perandorët luanin (Suetonius, Augustus 71).
Ndërkaq, lojërat zbavitëse trajtoheshin nga autorët antikë me një konsideratë të ndryshme. Një nga përmendjet më të hershme të lojërave të tavolinës gjendet te Homeri, kur përshkruan Penelopen që luante me «gurë» (Odysseia I, 107).
Në qytetin e Durrësit, gjetja më interesante lidhet pikërisht me lojërat e tavolinës dhe është bërë në vitet 1960. Si inventar i një varri janë gjetur 15 gurë loje: 10 të bardhë dhe 5 të zinj. Ata kanë një diametër që varion nga 1.4 deri në 1.8 cm dhe një lartësi nga 0.4 deri në 0.8 cm. Për gurët e bardhë është përdorur pastë qelqi, gur natyral dhe kockë, ndërsa për gurët e zinj vetëm pastë qelqi.
Gurët e punuar prej paste qelqi janë të njëtrajtshëm në përmasa dhe formë: të sheshtë nga poshtë dhe të harkuar nga lart. I ngjashëm në përmasa dhe trajtim është edhe guri i punuar prej kocke. Ndersa gurët prej guri natyral janë të larmishëm në formë dhe përmasa, dhe janë përdorur në gjendje natyrale, pa u përpunuar.
Në territorin shqiptar janë gjetur pak objekte të ngjashme, kryesisht në disa vendbanime antike. Jashtë Shqipërisë, gurë të ngjashëm janë përdorur gjatë periudhave të ndryshme historike, të paktën që nga shekulli IV p.Kr., dhe kanë vazhduar të përdoren edhe gjatë periudhës së Perandorisë Romake. Në rastin e gjetjeve nga Durrësi, datimi i tyre kryesisht i referohet periudhës midis shekujve IV dhe II p.Kr.
Një tjetër gjetje me interes nga Durrësi është një objekt prej fildishi, i punuar në formë të rrumbullakët, me diametër 0.3 cm. Faqja ballore është e gdhendur në reliev të cekët, me zbukurime anësore. Pjesa qendrore ka një motiv dekorues me tre shpende të lidhur nga këmbët dhe të varur kokëposhtë.
Faqja e pasme është e sheshtë dhe pa zbukurime, duke përmbajtur vetëm dy numra të incizuar, në latinisht dhe në greqisht, që përfaqësojnë shifrën 13. Shembuj të ngjashëm janë gjetur si oferta varrore në disa vendbanime antike mesdhetare dhe zakonisht mbajnë numra të ndryshëm. Mendohet se këto tesserae janë punuar kryesisht në Aleksandri të Egjiptit.
Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe në fondet arkeologjike ruhen fragmente tullash dhe tjegullash të gdhendura me linja të cekëta që shfaqin një fushë loje, e njohur gjerësisht në popull si loja e «nënteshit» ose «yçit». Në një rast është gjetur edhe një fragment i një elementi arkitektonik, i gdhendur në gur gëlqeror. Të tilla objekte janë gjetur brenda qytetit të Durrësit, por edhe në prapatokën e tij, si në fshatin Kryevidh. Objekti i gjetur në këtë fshat ka në secilën faqe nga një lojë: në njërën faqe është loja e «nëntëshit», ndërsa në faqen tjetër shfaqet një fushë drejtkëndore me nga katër kuti për çdo krah, të cilat janë të prerë nga disa linja diagonale që krijojnë disa rombe.
Këto objekte datohen si në periudhën antike, ashtu edhe në atë mesjetare. Gjetje të ngjashme janë dokumentuar edhe në vendbanime të tjera të Shqipërisë, si Shurdhah dhe Kaninë. Në territorin e Mesdheut, gdhendje të kësaj loje janë të shpeshta dhe i përkasin periudhave të ndryshme kohore. Ato janë gdhendur në tulla, tjegulla, pllaka mermeri dhe dysheme të ndërtesave private e publike.
Nga këto të dhëna kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një lojë që ka qenë në përdorim për një kohë të gjatë në Mesdhe. Edhe në Shqipëri, këto gjetje fillojnë që nga antikiteti dhe përzgjaten deri në periudhën mesjetare.
Në pllakat e mermerta të Macellum–Forumit bizantin të qytetit gjendet e gdhendur një fushë loje rrethore me diametër 55 cm, e ndarë nga katër linja rrezore që krijojnë tetë hapësira. Në pjesën fundore të linjave diagonale, ku ato prekin rrethin, janë incizuar tetë harqe. Mbi harqe është gdhendur një kryq, ndërsa në hapësirat poshtë harqeve janë gdhendur germa në alfabetin grek, të cilat formojnë fjalët: ΤΟΟ/ΝΟ/ΜΑ/+Κ/ωΝ/CΤ/ΑΝ/ΤΙ/Ν, që përkthehen si «Emri i Konstantinit».
Kjo fushë loje në literaturën ndërkombëtare identifikohet me lojën që në Shqipëri njihet si loja «trishe». Ky emërtim lidhet me një mori fushash lojërash të ngjashme. Gjetje të krahasueshme, nga forma dhe struktura, janë dokumentuar në disa vende të Evropës, me disa ndryshime të detajeve të organizimit të skemës së lojës. Disa prej tyre janë shumë të ngjashme me fushat e përdorura deri vonë në Shqipëri, ku katër linjat rrezore ndahen brenda një kuadrati. Në raste të tjera, katër linjat ndodhen brenda një rrethi, ose lidhen me gjysmë-rrathë në pjesën ku ato takohen me rrethin.

Pothuaj identike me këtë fushë loje të Durrësit është gjetur në pllakat e mermerta të hollit të madh verior të tregut të Filipit, i cili më parë kishte funksionuar si portik i një macellumi. Këtu gjejmë të njëjtën strukturë loje, me harqet që lidhin fundoret e diagonaleve, incizimin e dy fjalëve në alfabetin grek dhe përdorimin e kryqit si simbol fetar. Edhe germat e përdorura janë shumë të ngjashme, veçanërisht germat «ω» dhe «Α». Kjo fushë loje daton në shekujt IV-VI m.Kr.
Shumëllojshmëria e skemave për këtë lojë është e tillë sa që ka qenë e nevojshme krijimi i një tipologjie të veçantë. Fushëloja e Durrësit i takon tipit C6 – “Circle with 8 spokes and 8 arcs”. Datimi i saj lidhet me ndërtimin e monumentit ku u gjet, në fund të shekullit V – fillim të shekullit VI m.Kr.
Në pllakat e mermerta të Macellum-Forumit Bizantin të qytetit, pranë kësaj fushe janë gdhendur dy rrathë të tjerë, me diametër 45–50 cm. Këtu kemi të bëjmë me dy fusha lojërash të papërfunduar, pasi mungojnë linjat rrezore që zakonisht formojnë skemën komplekse të lojës.
Përdorimin e gurëve dyngjyrësh, të bardhë dhe të zi, të krijuar me qelq ose jo, e hasim të përmendur nga disa autorë antikë. Një pasazh i Polluksit (Onomasticon 9.98) përmend ndarjen e gurëve të lojës në dy fusha kundërshtare, sipas ngjyrave që ata kanë. Një përshkrim më i detajuar gjendet te Calpurnius Siculus (ose Pseudo-Calpurnius, Laus Pisonis, 195–205), i cili përmend gurë loje prej qelqi, të bardhë ose të zi.
Në një pasazh tjetër, këtë herë te Ovidi (Tristia 2.472), gjejmë sërish përmendjen e gurëve të lojës me ngjyra të ndryshme. Fushën e lojës dhe gurët me të cilët luhej i hasim edhe te Martiali (Epigr. 2.48.4; 18.16), megjithatë pa dallim midis ngjyrave të tyre.
Përmendja më e vonë në kohë është në vitin 463 m.Kr., tek Sidonius Apollinaris (Lettres à Trygetius, Ep., 8.12.5), ku përmenden përsëri gurë dyngjyrësh. Megjithatë, mbi përdorimin e tyre për një lojë të caktuar ka diskutime të ndryshme mes studiuesve.
Sipas disa studiuesve, bëhet fjalë për një lojë me karakter luftarak, duke marrë parasysh edhe përdorimin e termit plinthion, i cili ishte një term ushtarak për njësitë e trupave në fushëbetejë. Përveç faktit që përdoren shumë gurë loje dhe ishte e nevojshme të avancoheshe në fushë për të eliminuar kundërshtarin, rregullat e saj nuk njihen me detaje. Ndoshta një version romak i kësaj loje ishte i njohur edhe si “trictrac”, si mund të kuptohet nga dy pasazhe tek Platoni (Rep. 6.487B) dhe tek Polibi (Hist. 1.84).
Sipas studiuesve të tjerë, kjo lojë identifikohet me “pente grammai”, lojën e pesë vizave. Megjithatë, duke u bazuar tek përshkrimi i Polluksit (Onomasticon 9.97), kjo mundësi është hedhur poshtë, pasi rregullat e lojës duket se ishin të ndryshme.
Ndër lojërat romake që përdornin gurë shumëngjyrësh ishte latroncule, ose ludus latrunculorum. Përmendjet nga autorët latinë janë të ndryshme, por më e gjerë është ajo tek Calpurnius Siculus (Laus Pisonis, 195–205). Sipas këtij përshkrimi, fushëloja ndahej në një rrjet prej 8×8 kuadratësh. Ndoshta një fushë e këtij modeli mund të jetë paraqitur edhe në disa relieve dhe, për më tepër, nuk përmban asnjë zar. Kjo është arsyeja që loja lidhet me termin latroncule, ku parimi i lojës është i ngjashëm me polis të përmendura nga autorët grekë, dhe që synonte eliminimin e gurëve të kundërshtarit. Emërtimi mendohet se vjen nga fjala latro, që do të thotë ushtar ose mercenar.
Gurët e lojës në këtë rast quheshin latrones dhe mund të ishin prej guri ose qelqi, me ngjyra të ndryshme; disa prej tyre mund të kishin edhe zbukurime në reliev, si në rastin e 15 gurëve prej kocke dhe fildishi të Muzeut të Teatrit të Scala në Milano (me gdhendje numrash në latinisht dhe greqisht), apo të 6 copëve të Antiquarium Comunale të Romës.
Një tjetër lojë e preferuar nga romakët ishte ludus duodecimscriptorum, për të cilën nuk ka një mendim të njëjtë mbi fushën ku luhej. Disa autorë mendojnë se loja e 12 linjave ishte e ndryshme dhe kishte rregulla të ngjashme me “tric-trac” apo “backgammon”, me analogji me “damën” tonë. Bëhet fjalë për një fushë ku gërvishteshin tre rreshta me nga 12 shenja ose germa, të ndara në dy pjesë nga një ndarje vertikale. Shpesh herë, në vend të shenjave vendoseshin germa pa kuptim ose që formonin fjalë ose fjali të plota.
Bazuar në një epigramë të famshme të Agathiasit, ku përshkruhet loja e realizuar nga perandori Zeno (9.482), janë bërë disa tentativa për të kuptuar më qartë organizimin e lojës dhe fushën e përdorur. Nuk është e qartë nëse bëhej fjalë për fushën e përshkruar më sipër ose për një version tjetër, me dy linja dymbëdhjetëshe, me nga gjashtë ndarje secila, që ngjan me tavllën moderne.
Kjo lojë u përhap aq shumë dhe me vendosje bastesh, saqë në Sinodin e Elvirës në vitin 305 m.Kr. u ndalua loja me baste, ndërsa rreth vitit 730 u ndalua tërësisht praktikimi i saj. Ajo që ka rëndësi më e madhe është përdorimi i dy palëve të gurëve, të bardhë dhe të zi, si ata që janë gjetur në Durrës.
Për gurët e përdorur në këtë lojë ka dëshmi që në njërën faqe kanë pasur numra të gdhendur nga I deri në XV, ndërsa faqja tjetër ka pasur zbukurime. Ky përshkrim ngjason shumë me objektin tonë nr. 2.Emri antik i lojës së nëntëshit mbetet i paqartë; ndoshta për grekët ishte triodion, ndërsa për romakët është i panjohur. Forma e saj mund të ketë qenë katrore ose rrethore, e thjeshtë ose me zbukurime, me harqe ose rrethe. Sipas një studiuesi, loja trishe, siç praktikohet sot, nuk shfaqet para shekullit XVII.
Megjithatë, përshkrimi i Ovidit në dy tekste të ndryshme – «… mbi artin e vendosjes në një tavllë të vogël të tre copave për të luajtur, fitues është ai që i ka vendosur të gjitha në të njëjtën rresht.» (Tristia 2.481; Ars Amatoria 3.365) – sugjeron se rregullat e lojës që luhen në Shqipëri kanë qenë të ngjashme me ato të antikitetit.
Ndërsa fusha e lojës rrethore, e ndarë me linja diagonale dhe me harqe, luhej deri në fillim të viteve 1990 në Shqipëri, rregullat e saj ishin të ndryshme nga ato të lojës “trishe”. Një lojtar kishte tre gurë, ndërsa kundërshtari vetëm një gur. Praktikisht, lojtari i parë synonte të bllokonte lojtarin e dytë në një pozicion pa mundësi lëvizjeje.
Siç kuptohet nga kjo përmbledhje, diskutimet mbi lojërat, rregullat, gurët e përdorur dhe fushëlojët vazhdojnë ende në disa drejtime, shpeshherë edhe në kundërshtim me njëra-tjetrën. Për rrjedhojë, mbetet e vështirë të përcaktohet me siguri nëse 15 gurët dyngjyrësh janë përdorur për pente grammai, polis, latroncule apo për të gjitha së bashku. Guri me gdhendje në reliev ndoshta është përdorur për lojën ludus duodecimscriptorum.
Fushëlojët e lojërave trishe, nëntësh, damë ndihmojnë për të kuptuar më shumë mbi lojërat që luheshin në territorin shqiptar përgjatë antikitetit e mesjetës. Dallimet kohore të gjetjes së tyre tregojnë një vazhdimësi kronologjike të konsiderueshme, gjë që vërtetohet edhe nga përdorimi i këtyre lojërave deri në ditët e sotme.