Ish banorja e “Big Brother”: Teatri i Ferizajt pa buxhet, kemi mbetur pa bërë shfaqje
Aktorja e njohur dhe ish banorja e “BBVK”, Gresa Gashi ka folur hapur për gjendjen e vështirë të Teatrit të Ferizajt, ku ajo është pjesë prej vitesh. E ftuar në emisionin “Shok Podcast” të Fis Junikut, Gresa rrëfeu se mungesa e buxhetit ka ndikuar ndjeshëm në jetën artistike të institucionit, duke e paralizuar aktivitetin teatror.
“Nuk është duke pasur para në teatër. Nuk po ka buxhet, nuk po vijnë regjisorët për shkak se nuk po ka buxhet dhe kemi mbetur pa bërë shfaqje,” – u shpreh ajo.
Gresa theksoi se ndonëse pagat e aktorëve vazhdojnë të sigurohen, problemet qëndrojnë tek mungesa e fondeve për realizimin e shfaqjeve të mëdha, të cilat kërkojnë investime dhe përfshirje më të gjerë artistike.
“Për rroga ka para, por nuk po ka para për të bërë shfaqje të mëdha, sepse normalisht kanë kosto, dhe pa buxhet kemi mbetur peng,” – shtoi ajo.
Deklaratat e saj kanë bërë jehonë në rrjete sociale, duke ngjallur reagime për shkak se Teatri i Ferizajt është një nga institucionet më aktive të artit në Kosovë.
Sipas Gresës, mungesa e mbështetjes financiare rrezikon të frenojë zhvillimin e artit dhe të pengojë krijimtarinë në një qytet që njihet për traditën e tij kulturore.
Megjithatë, aktorja theksoi se dëshira për të vazhduar krijimtarinë dhe për t’u rikthyer në skenë nuk është zbehur:
“Edhe pse është e vështirë, dashuria për teatrin mbetet e madhe. Shpresojmë që situata të ndryshojë, sepse publiku e meriton.”