Thu, Oct 23, 2025

Nga Karl te Kane, Bayern një makineri perfekte, “çmonton” edhe Brugge, tani Kompany i sfidon të gjithë: Të bëjmë sa më shumë pikë

  • PublishedOctober 23, 2025

3 fitore në 3, 9 pikë të plota, 12 gola të shënuar vetëm 2 të pësuar. Bayern Munich vijon ecurinë perfekte edhe në Champions, me “armatën” e Kompany që nuk di të ndalet këtë sezon. Ndaj Brugge i mjaftuan vetëm 34 minuta për të “çmontuar” belgët, me Harry Kane me shokë që ishin thjesht të papërmbajtshëm. Gjëja më e bukur e kësaj mbrëmje ishte Lennart Karl, me talentin 17-vjeçar që jo vetëm zbriti në fushë si titullar, por pas vetëm 4 minutash realizoi një super gol, i pari për të në Champions duke u shndërruar në lojtarin më të ri në historinë e klubit gjerman që shënon në këtë turne.

Bayern spostoi Brugge në gjysmëfushë dhe në minutën e 14-të, Laimer futi në zonë një asist të pastër për Harry Kane, me “bomberin” anglez që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur. Bayern nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 34-të, Luis Diaz me një predhë të vërtetë brenda në zonë trefishoi shifrat.

Në fraksionin e dytë, Kompany filloi të freskonte ekipin duke kryer 3 zëvendësime të menjëhershme, mes tyre hodhi në fushë edhe Jackson, me këtë të fundit që kompletoi “pokerin” e golave. Me këtë fitore, Bayern i bashkohet 5 ekipeve me nga 9 pikë pas xhiron së tretë në Fazën e Ligës.

I kënaqur me këtë fitore u shfaq trajneri Kompany: “Ishte një paraqitje e mirë, mund të kishim shënuar edhe më shumë, por e rëndësishme është që mbajtëm portën të paprekur. Disa lojtarë të rinj vërtetuan se mund të na ndihmojnë këtë sezon. Në ndeshjet e ardhshme na presin rivalë si PSG apo Arsenal, por ne duam të fitojmë çdo ndeshje, të mbledhim sa më shumë pikë pasi fituesi i Champions League nuk vendoset tani”, u shpreh Kompany.

()

BalkanWeb


AlbaniaWeb.net