Thu, Oct 23, 2025

Rasti “Velo” dhe sfida e pastërtisë së figurave

  • PublishedOctober 23, 2025

GENTIANA SULA

Si Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit shpreh shqetësimin tim për dekorimin e një ish-zyrtari të lartë të pushtetit vendor nga Bashkia, kur në funksionet e tij të kohës ka përcjellë në Komisionin e InternimDëbimeve propozimet për zgjatjen e afateve të internimeve gjatë regjimit komunist.

Edhe pse ligji aktual nr. 45/2015 e kufizon #aidssh në verifikimin e tij, pasi vërtetë ai nuk rezultoi anëtar i drejtpërdrejtë i Sigurimit të Shtetit, kjo nuk e zhbën rolin e tij në mbështetjen e një sistemi represiv që internonte familje të tëra pa gjyq, bazuar në kriteret arbitrare të “rrezikshmërisë shoqërore”. Sidoqoftë, duhet kuptuar se #aidssh është një institucion informimi për dokumentet e IshSigurimit (që shpesh kanë boshllëqe) dhe jo një institucion lustracioni.

Internimet dhe dëbimet, të përcaktuara me Dekretin nr. 5912 të datës 26.6.1979, ishin masa administrative të natyrës politike, të cilat synonin shtypjen e çdo forme disidence dhe kontrollin social përmes frikës. Këto masa, të zbatuara pa proces gjyqësor, shkelnin parimet themelore të drejtësisë. Një listë e përplasjes me Kodin Penal ishte:

Shkelja e përgjegjësisë individuale: Kodi Penal kërkonte që dënimet të bazoheshin në veprime individuale, por internimi i familjeve ndëshkonte persona të pafajshëm për veprimet e të tjerëve.

Mungesa e procesit gjyqësor: Masat administrative anashkalonin gjykatat, duke shkelur të drejtën për një gjykim të drejtë të parashikuar nominalisht në Kod.

Kriteret e paqarta të “rrezikshmërisë shoqërore”: Termi i paqartë lejonte abuzime arbitrare, në kundërshtim me parimin e qartësisë ligjore.

Ndëshkimi kolektiv: Internimi i familjeve binte ndesh me parimet e drejtësisë penale, të cilat ndalonin ndëshkimin për asociim.

Mungesa e mekanizmave të ankimimit: Të internuarit nuk kishin mundësi të apelonin vendimet, duke shkelur të drejtat procedurale të Kodit Penal.

Të nderosh një individ që kontribuoi në këtë makineri do të thotë të mohosh vuajtjet e mijëra shqiptarëve dhe të dëmtosh përpjekjet për pajtim kombëtar. Si Autoritet do t’u kërkojmë ligjvënësve zgjerimin e fushëveprimit të ligjit nr. 45/2015 për të mundësuar një verifikim më të plotë të personave të përfshirë në strukturat e persekutimit, përfshirë zyrtarët e pushtetit vendor të kohës.

Njëkohësisht, bëj thirrje që pavarësisht kufizimeve ligjore, çdo institucion të marrë përgjegjësinë për të ndaluar glorifikimin e figurave të lidhura me të kaluarën e errët komuniste. Institucionet tona duhet të promovojnë drejtësi, transparencë dhe respekt për viktimat e regjimit, duke u distancuar nga çdo veprim që legjitimon represionin./ Gazeta Panorama