Supersfida Napoli-Inter, kampionët për të harruar humbjen në Champions, zikaltrit për revansh
Të shtunën, Interi dhe Napoli përballen në një sfidë që premton spektakël. Një ndeshje e vërtetë për titullin, që vjen në momente shumë të ndryshme për të dyja skuadrat. Nga njëra anë, Napoli vjen pas humbjes së rëndë në Champions League ndaj PSV-së, një 6-2 që ka lënë gjurmë, por edhe dëshirën për t’u rikthyer menjëherë. Nga ana tjetër, Interi i Chivut po kalon një periudhë fantastike, me shtatë fitore radhazi mes kampionatit dhe Champions-it, por do të duhet të tregojë se ka hequr qafe dobësinë në ndeshjet e drejtpërdrejta që e penalizuan sezonin e kaluar.
Vitin e kaluar, përballjet me Napolin përfunduan me dy barazime që i kushtuan shtrenjtë zikaltërve në garën për titull. Një penallti e humbur nga Calhanoglu dhe një gol i pësuar në minutat e fundit i hoqën Interit pikë vendimtare, në një kampionat që u mbyll vetëm me një pikë diferencë.
Tani, me Chivun në stol, Interi duket më i balancuar, me mbrojtje solide dhe sulm më efikas, por testi i vërtetë do të jetë pikërisht ndaj Napolit. Kampionët në fuqi, pavarësisht luhatjeve, mbeten një skuadër që di të reagojë pas çdo goditjeje.
Të shtunën, përballja në “Maradona” do të vlejë jo vetëm për tri pikët, por edhe për moralin dhe psikologjinë e skuadrave. Interi ka më shumë për të humbur, por edhe mundësinë për të treguar se sezoni i kaluar është tashmë pjesë e së shkuarës. Spektakël, tension dhe shumë emocione priten në këtë super sfidë të javës.”
BalkanWeb