“Red flag” tek meshkujt për Dakota Johnson: Shapkat në publik janë një jo e madhe!
Aktorja e njohur hollywoodiane, Dakota Johnson, ka zbuluar së fundmi disa nga “sekretet” dhe qëndrimet e saj mbi stilin dhe bukurinë, duke përfshirë edhe atë që, sipas saj, është shenja më e madhe paralajmëruese te burrat.
Në një video për Vogue Germany, 36-vjeçarja u pyet se çfarë veshjeje e konsideron “red flag” te meshkujt, dhe përgjigjja e saj ishte e menjëhershme:
“Burra që veshin shapka në publik. Vraponi!” – tha ajo me humor, duke e kthyer momentin në një nga deklaratat më të komentuara të javës në rrjetet sociale.
Përveç shijes së saj në stil, ylli i “Fifty Shades of Grey” foli edhe për rutinën e saj të bukurisë, e cila është mjaft e thjeshtë. Ajo pranoi se nuk përdor produkte stilimi dhe i lë flokët të thahen në mënyrë natyrale. “Nuk përdor asgjë, i lë të thahen vetë. Kur jam në xhirime është ndryshe, por përditshmëria ime është e thjeshtë,” – u shpreh ajo.
Sa i përket ballukeve që janë bërë pjesë e pandashme e pamjes së saj, Dakota tregoi se i ka prerë për herë të parë që fëmijë dhe nuk është ndarë më prej tyre. “Ndihem vetvetja me balluke. Po, janë të lodhshme për t’u mirëmbajtur, por gjithmonë kam me vete gërshërët e mia… dhe një martini,” – tha ajo me ironi.
Me stilin e saj të përhershëm minimal, por plot karakter, Dakota Johnson dëshmon edhe një herë pse konsiderohet një nga ikonat më të dashura të modës dhe bukurisë bashkëkohore.