Fri, Oct 24, 2025

Evgjeni Bashari e ILDKPI “kyç” gojën për konfliktin e interesit të kryetatimorit! Vetting zbulon dy-punësimin e Ilir Binajt! Edhe drejtor Tatimesh edhe auditues në “Crow LLT”

  • PublishedOctober 23, 2025

EMISIONI VETTING

Për të verifikuar të dhënat e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, “Vetting” i bëri një kërkesë zyrtare Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për formularin e vetëdeklarimit dhe deklarimin fillestar të pasurisë.

Institucioni që drejtohet nga Evgjeni Bashari dhe dirigjohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Arbër Basholli, prej 8 muajsh i ka bërë bllok redaksisë “Vetting”, duke mos dorëzuar asnjë dokument të zyrtarëve të lartë, në shkelje të hapur të ligjit për sigurimin e transparencës për mediat dhe qytetarët.

Në rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ILDKPKI-ja duhet ta kishte verifikuar deklarimin e punësimit në momentin që Ilir Binaj ka bërë vetëdeklarimin.

Por “Vetting” ka zbuluar një tjetër konflikt interesi, që implikon drejtpërsëdrejti Inspektoratin.

Sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2024, të dhëna të siguruara nga “Spending.al”, platformë e AIS-it, për deklarimin e dytë dhe jo të parin, Ilir Binaj ka deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave se nga 1 janari 2024, deri në fund të dhjetorit 2024 ka qenë i punësuar te kompania ndërkombëtare e auditimit “Crow LLP”.

Sipas formularit të dorëzuar në ILDKPKI,  Ilir Binaj ka patur të ardhura në vlerën 53 mijë dollarë vitin e kaluar. Por problem është se Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk mund të jetë i dy-punësuar, aq më pak te një kompani auditimi ndërkombëtare, e cila ka edhe një degë të sajën në Shqipëri.

Sipas avokatit Llangozi, kjo ngelet për t’u verifikuar nga Inspektorati në qoftë se kryetatimori Ilir Binaj ka qenë i dy-punësuar dhe ka qenë në konflikt interesi.

“ILDKPKI-ja duhet të fillojë një hetim dhe të merren masat e duhura nga ky institucion  për veprime apo mosveprime që bien ndesh me detyrën”, u shpreh avokati Llangozi.

Ligji Për Procedurat Tatimore (nr. 9920/2008, neni 26) ndalojnë që drejtuesit e Administratës Tatimore të kenë çdo formë punësimi apo përfitimi financiar nga kompani private.

Sipas avokates Margarita Kola, ligji e ngarkon inspektoratin jo vetëm të dijë se çfarë personi që bëhet titullar ka si rrethana rreth konfliktit të interesit, por edhe të investigojë në lidhje me rastin në mënyrë administrative, të gjejë informacion se çfarë konflikti interesi mund të ketë ky titullar.

Fakti që kryetatimori Ilir Binaj ka deklaruar se ka qenë i punësuar në “Crow LLP” edhe gjatë periudhës kur drejtonte Tatimet, është shkelje e drejtpërdrejtë e këtyre ligjeve.

Sipas avokatit Llangozi, “një person nuk mund të jetë i dypunësuar, aq me tepër kur ka një rol drejtuesi në një institucion sepse do të pengonte mbarëvajtjen e punës”.

E thënë thjeshtë, Ilir Binaj nuk mund të jetë njëkohësisht i punësuar në shtet dhe punonjës i një kompanie kontabiliteti që operon në fushën që ai vetë kontrollon.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesave (nr. 9367/2005, neni 3) ndalon që një funksionar publik të ketë lidhje financiare me një kompani që ka aktivitet në të njëjtën fushë që ai mbikëqyr. “Crow LLP” është kompani ndërkombëtare e kontabilitetit dhe auditimit dhe Drejtoria e Tatimeve monitoron pikërisht këtë sektor në Shqipëri.

Sipas avokatit Muharrem Doku, nëse një zyrtar i lartë në administratën tatimore deklaron që nuk ka biznes, në këtë institucion ka struktura që mund të konstatojnë që një punonjës i caktuar mund të ketë biznese.

“Me ligj kjo nuk lejohet. Çdo punonjës i administratës, e sidomos i administratës tatimore, nuk lejohet të ketë dy biznese, të punojë në shtet dhe të ketë zyrë private. Kjo është shkelje e ligjit”, deklaroi ish drejtori i auditit te tatimet, Muharrem Doku.

Edhe pse kryetatimori është i punësuar në kompaninë mëmë jashtë Shqipërisë, kjo nuk e shmang konfliktin e interesit me “Crow LLP”, e cila ka degë të licencuar në Shqipëri, të regjistruar si pjesë e rrjetit ndërkombëtar “Crow”.

Ligji nuk dallon nëse marrëdhënia është me degën shqiptare apo me kompaninë mëmë, mjafton që ekziston interes ekonomik te një subjekt që vepron në territorin shqiptar.

Kjo do të thotë se çdo vendim i Ilir Binajt si drejtor Tatimesh mund të perceptohet si i ndikuar ose i pambështetur në paanshmëri. Ligji për deklarimin e pasurive dhe interesave private (nr. 9049/2003) kërkon që çdo zyrtar të deklarojë saktësisht marrëdhëniet financiare që mund të krijojnë konflikt interesi.

Në këtë rast drejtori ka deklaruar thjesht “të ardhura nga paga në “Crow LLP” pa specifikuar se kompania ka degë aktive në Shqipëri dhe kjo mund të përbëjë deklarim të pjesshëm ose të rremë, që është vepër penale sipas nenit 257/b të Kodit Penal.

Përgjegjësi në këtë rast ka edhe Inspektorati që drejtohet nga Evgjeni Bashari, pasi në momentin që kryetatimori  Ilir Binaj ka bërë deklarim për dy-punësim, duke qenë edhe pjesë e administratës tatimore, ILDKPKI-ja duhet të kishte filluar hetimet dhe të merrte masat.

Por ky mund të mos jetë deklarimi i parë i zotit Binaj, pasi konflikti me kompanitë e familjes hapin shtigje me kompani offshore dhe koncesionet problematike. Në Shqipëri, dega e kompanisë “Crow LLP”, është “Crow Al” dhe ka kontrata auditimi me institucione shtetërore si Qendra Studentore 1 dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit OST.

Sipas avokates Kola, rasti me Tatimet është një konflikt i pastër interesi, pasi babai punon për kompani auditimi, ndërkohë që kryetatimori Binaj ka vazhduar në të njëjtën kohë të punojë në një pozicion publik dhe në anën tjetër punonte për një kompani auditimi.