Sat, Oct 25, 2025

Debati me dyer të mbyllura në Grupin e PD-së, Berisha: Niko Peleshi një mjeran i marrë peng! Po e prishën seancën, përgjegjësia është e maxhorancës

  • PublishedOctober 25, 2025

Zbardhet debati me dyer të mbyllura në Grupin Parlamentar të PD-së. Gazetari i News24, Osman Stafa ka transkriptuar disa nga diskuimet e forta në grupin e demokratëve, të cilët kanë folur rreth strategjisë që do të ndiqet në Kuvend.

Në fokus të diskutimeve ka qenë seanca e pyetjeve që deputetet duan të realizojnë me institucionet e drejtësisë, por mes frikës se kjo e drejtë do t’u hiqet gjatë seancës.

Gazment Bardhi është shprehur se “Ata s’mund të na tregojnë ne sesi duhet të flasim, sesi duhet të vishemi. Sa respekt ka Edi Rama për Kuvendin e tregon me pjesëmarrjen në Kuvend. Ne jemi deputetë të opozitës, duke mbrojtur të drejtat tona mbrojmë parlamentarizmin. Unë nuk e mirëkuptoj dot askënd që thotë të mos reagojmë se pastaj ata na lenë të flasim. Fasadë në Kuvend ne nuk bëhemi dot. Duhet reagim, madje i fortë, që të gjithë të mësojnë që Shqipëria s’ka parlamentarizëm. Heshtja jonë është bashkëfajësi me ta në vrasjen e pluralizmit”, është shprehur Bardhi.

Nga ana tjetër, Sali Berisha ka kërkuar zbatimin e rregullores së Kuvendit nga deputetët e opozitës, por ka theksuar se përgjegjësia  nëse prishet seanca është e maxhorancës.   Ai ka thënë se Niko Peleshi është një mjeran, dhe që merr urdhra nga Taulant Balla.

“Do Niko Peleshi të paralizojë Kuvendin, ta bëjë, por nuk është Kryetar Kuvendi, është një mjeran i marrë peng. Prandaj reagimi është rruga e vetme kur shkelet Rregullorja apo kur opozitës i mohohet një e drejtë që e gëzon 35 vjet.

Ne duam normalitet por të vërtetë me Rregullore të respektuar. Normaliteti me Rregullore të shkelur është i rremë, është fasadë dhe ne nuk mund ta pranojmë kurrë”, shprehet Berisha.

DISKUTIMI PA MEDIA NE GRUPIN E PD

Gazment Bardhi: Fillojmë me rendin e ditës. Siç ju kam njoftuar ka seancë të hënën dhe të enjten këtë javë. Në nisje të seancës janë për votim dy vendimet për Komisionet e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. Administrata e Kuvendit sapo më ka dërguar tekstin e rishikuar për të dyja komisionet, ku shoh se janë reflektuar të gjitha amemdamentet tona të dorezuara javën e shkuar. Komisionet do jenë me barazi, bashkëkryetar dhe vendime konsensuale. Do kërkohet edhe ekspertiza e OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës dhe Komisionin e Venecias. Nëse mazhoranca i qëndron versionit të ripunuar nga administrata e Kuvendit, ne votojmë Pro.

Ndërkohe të hënën ka raportimin 5 institucionet e drejtësisë. Fillojmë me Prokurorin e Përgjithshëm, SPAK, ILD, KLGJ dhe KLP. Rezolutat e mazhorancës nuk i votojmë, janë të njëanëshme. Ndërkohe deputetët do të bëjnë pyetje, dhe më pas kemi kohën për diskutime nga 2 orë e 30 min për çdo institucion. Edhe në këtë seancë ata do të vazhdojnë me provokimin kundër Rregullores për të mos na lejuar ti prezantojmë pyetjet, siç vepruan seancën e kaluar. Të ndalemi këtu fillimisht për të diskutuar sesi duhet të veprojmë. Për mua është e papranueshme që ne të nënshtrohemi ndaj sjelljes së tyre, por dua të dëgjoj mendimin e grupit.

Sali Berisha: Secili prej nesh ka karakterin dhe emocionin e tij, por një gjë duhet të bashkojë secilin opozitar: Respekti për Rregulloren e Kuvendit. Në 35 vite deputetët kanë prezantuar pyetjet. Precedenti parlamentar është ligj dhe nuk mund të ndryshohet sipas qejfit nga krimineli Taulant Balla. Ushtari i bandave që na udhëzon ne si opozitë sesi duhet të sillemi. Kush është ai kriminel të na mohojë ne të drejtat që opozita i ka fituar në 35 vjet. Jo zotërinj deputetë, rrugë tjetër përveç reagimit ne nuk kemi. Kush thotë të nënshtrohemi presionit të kriminelëve në qeveri, që ata mbyllkan seancën pa lejuar debat, i jep mesazhin më të gabuar votuesve tanë. Kurrë nuk mund të pranojë opozita nënshtrimin, ndryshe kot që shkojmë në Kuvend. Asgjë më shumë sesa na njeh rregullorja nuk kemi kërkuar, kurrë asnjeherë.

Mazhoranca duhet të respektojë opozitën, të respektojë Rregullon. Është detyrë e Kryetarit të Grupit që të reagojë sa herë që kriminelët në pushtet i mohojnë një të drejtë një deputeti të opozitës. Nëse kryetari nuk e bën këtë nuk është në lartësinë e besimit tonë. Prandaj kryetari i grupit ka bërë atë që ka për detyrë ky grup, të mbrojë Rregulloren e Kuvendit. Ndryshe ne jemi një opozitë fasadë në Kuvend dhe kjo s’mund të ndodh kurrë.

Do Niko Peleshi të paralizojë Kuvendin, ta bëjë, por nuk është Kryetar Kuvendi, është një mjeran i marrë peng. Prandaj reagimi është rruga e vetme kur shkelet Rregullorja apo kur opozitës i mohohet një e drejtë që e gëzon 35 vjet.

Ne duam normalitet por të vërtetë me Rregullore të respektuar. Normaliteti me Rregullore të shkelur është i rremë, është fasadë dhe ne nuk mund ta pranojmë kurrë.