Sun, Oct 26, 2025

Katy Perry dhe Justin Trudeau konfirmojnë romancën me një dalje në Paris

  • PublishedOctober 26, 2025

Katy Perry dhe Justin Trudeau duket se po e shijojnë në maksimum romancën e tyre të re. Këngëtarja 41-vjeçare dhe ish-kryeministri kanadez, 53 vjeç, u shfaqën për herë të parë publikisht si çift të shtunën, më 25 tetor, në Paris. Të dy morën pjesë në një shfaqje kabareje në “Crazy Horse”, për të festuar ditëlindjen e këngëtares, sipas TMZ.

Në fotot e publikuara, Perry dhe Trudeau shihen duke dalë nga teatri dorë për dore, me buzëqeshje në fytyrë. Këngëtarja kishte zgjedhur një fustan të kuq elegant, ndërsa Trudeau ishte veshur thjeshtë, në të zeza, për mbrëmjen e tyre në kryeqytetin francez.

Thashethemet për lidhjen mes tyre nisën gjatë verës, kur u panë bashkë në Montreal, pak pasi Perry ishte ndarë nga ish-i fejuari, aktori Orlando Bloom. Trudeau, nga ana tjetër, u nda nga bashkëshortja Sophie Grégoire në vitin 2023, pas 18 vitesh martesë. Muaj më vonë, çifti u fotografua sërish në shtator, duke shkëmbyer përqafime dhe puthje në një jaht pranë Santa Barbarës.

Burime për People thanë se Trudeau “e kishte ndjekur me këmbëngulje” këngëtaren dhe se mes tyre ekziston “një lidhje e lehtë dhe respektuese”.

Aktualisht, Perry ndodhet në turneun botëror Lifetimes Tour, me të cilin po promovon albumin e saj më të ri, 143. Turneu nisi në Meksiko Siti dhe ka përfshirë ndalesa në SHBA, Kanada dhe Australi, ndërsa këngëtarja vazhdon të udhëtojë për t’u takuar me fansat në mbarë botën.