Përleshje me thika në Golem të Madh, tre persona përfundojnë në spital
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:30, në fshatin Golem i Madh, njësi administrative Golem, bashkia Lushnjë. Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me thika mes tyre, duke përfunduar në spital.
Sipas burimeve nga spitali i Lushnjës, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e mjekëve dhe nën mbikëqyrjen e forcave të rendit.
Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se personat e përfshirë kishin qenë duke konsumuar ushqim dhe pije së bashku që prej orëve të pasdites. Konflikti mësohet se ka nisur për shkaqe të vogla, ndërsa përdorimi i alkoolit dyshohet të ketë ndikuar në përshkallëzimin e sherrit.
Policia ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
