Megan Fox rrëfen periudhën e vështirë gjatë xhirimeve të “Jennifer’s Body”: Isha e humbur dhe plot zemërim
Aktorja amerikane Megan Fox është rikthyer tek një nga rolet më të diskutuar të karrierës së saj, duke treguar për periudhën e errët që po kalonte gjatë xhirimeve të filmit Jennifer’s Body. Gjatë një shfaqjeje të posaçme të filmit në Los Angeles më 25 tetor, 39-vjeçarja rrëfeu se në atë kohë ndiente “zemërim dhe humbje të madhe”, të shkaktuar nga mënyra si trajtohej në industrinë e filmit dhe nga presioni i famës.
“Isha plot me zemërim për mënyrën si isha trajtuar. Paparacët ishin shumë mizorë atëherë,” tha ajo, duke kujtuar raste kur e ofendonin në publik. “Kisha brenda vetes shumë dhimbje dhe pikëllim që duhej të shpërthenin diku dhe roli i Jennifer-it më dha këtë mundësi.”
Fox u shpreh se ishte ndjerë e lidhur me personazhin e saj, një adoleshente që shndërrohet në një krijesë të mbinatyrshme pasi sakrifikohet për përfitimet e të tjerëve. “Edhe unë ndihesha ashtu, si dikush që u sakrifikua për suksesin e të tjerëve në industri,” shtoi ajo.
Aktorja e përshkroi përvojën si “shëruese”, sepse roli i lejoi të shprehte anët e errëta e të ndaluara të vetes. “Nëse do ta kisha parë ndryshe, ndoshta nuk do të kisha dhënë të njëjtën performancë,” tha ajo.
Ndërkohë, shkrimtarja Diablo Cody dhe bashkëaktorja Amanda Seyfried kanë lënë të kuptohet se një vazhdim i filmit kult “Jennifer’s Body” mund të jetë në zhvillim.
