Tue, Oct 28, 2025

“El Clasico” trazoi Barçën, Laporta viziton ekipit, takon Yamal dhe Flick

  • PublishedOctober 28, 2025

Disfata në “El Clasico” ka trazuar jo pak ambientin në Barcelonë, ku në qendër të kritikave ka përfunduar Lamine Yamal, me talentin spanjoll që ndezi sfidën kundër Real Madrid me një deklaratë të papjekur. Kundër tij dolën jo vetëm mediat dhe opinioni në Spanjë, por dhe shokët e tij në përfaqësuese si Carvajal, apo dhe lojtarë të Barçës si Raphinha, me brazilianin që u shpreh se deklaratat e Yamal motivuan Realin. Në letër, humbja ndaj Realit thelloi diferencën mes dy ekipeve, me Real Madrid që shkoi në +5. Kjo është një periudhë e vështirë për Barçën, pasi kundër Realit ishte humbje e 3 në 5 ndeshjet e fundit.

Për të qetësuar disi ambientin ka menduar presidenti Laporta, me këtë të fundit që zbarkoi në qendrën sportive të klubit një ditë pas humbjes në “El Clasico”. Gjatë kohës kur Laporta u shfaq lojtarët ishin larguar, përveç Araujo dhe Lamine Yamal. Pas përshëndetjeve, Laporta u ndal duke diskutuar me trajnerin Hansi Flick dhe me drejtorin Deco. Sipas të përditshmes Sport, Laporta është kujdesuar gjatë gjithë kohës të përcjell qetësi, t’i ofrojë garanci trajnerit Flick dhe pjesës tjetër të stafit.

Në sytë e Laporta-s diferenca prej 5 pikësh me Realin nuk është një distancë për t’u shqetësuar, ka ende shumë ndeshje në valle për të rrëmbyer sërish kreun. Ndërsa në Champions, pavarësisht humbjes me PSG, ekipi ndodhet në kushte komode, me 6 pikë në 3 ndeshje.

()