Wed, Oct 29, 2025

Pezullimi i Nayara Ferreira, reagon klubi Dinamo!

  • PublishedOctober 28, 2025

Klubi i volejbollit Dinamo ka reaguar pas vendimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV) për të pezulluar lojtarën Nayara Ferreira, nëse ajo nuk i nënshtrohet analizave për “verifikimin e gjinisë”.

Në një deklaratë zyrtare, Klubi Dinamo shpreh mirënjohjen për mbështetjen e gjerë publike nga media, sportistë, organizata dhe nga opinioni publik, duke e cilësuar vendimin e FSHV-së si absurde dhe cënuese për dinjitetin e lojtares me karrierë 15-vjeçare ndërkombëtare.

-Janë të pabazuara ligjërisht dhe tejkalojnë kompetencat statutore të Bordit të FSHV-së;

Janë marrë në shkelje të procedurave, pa garanci për konfidencialitet dhe privatësi;

Cenojnë dinjitetin dhe integritetin e sportistes dhe të klubit;

Legjitimojnë një praktikë të papranueshme për verifikim gjinor mbi bazë thashethemesh;

Nxisin gjuhën e përjashtimit dhe urrejtjes në sport.

Dinamo kërkon reflektim nga FSHV dhe rikujton se çdo veprim i tillë duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e sportistëve. Klubi gjithashtu distancohet nga çdo sjellje jo-etike dhe vlerëson çdo zë publik që mbështet mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të sportistëve në Shqipëri.

Në përfundim, Dinamo shpreh besimin se FSHV do të veprojë me transparencë dhe përgjegjësi në trajtimin e këtij rasti, duke respektuar standardet ndërkombëtare të sportit dhe të drejtat e sportistes.