Volejbollistja braziliane Ferreira u pezullua për shkak të gjinisë: Kjo është një çmenduri e madhe
Volejbollistja braziliane braziliane Nayara Ferreira është pezulluar nga Federata pas një debati të gjerë mbi gjininë e saj. Ferreira ka treguar se është ndjerë e shokuar nga vendimi dhe e ka cilësuar situatën si “një çmenduri të madhe”.
Sportistja, sonte në “Goca dhe Gra”, ka thënë se ka marrë mbështetje të plotë nga familja dhe miqtë e saj, por gjithsesi ndjehet e pasigurt për të ardhmen e saj në klub: “Situata ishte vërtet e rëndë. Klubi më komunikoi vendimin, dhe u shokova. Ishte hera e parë që më ndodhte një gjë e tillë në jetën time. Familja dhe shoqëria janë me mua dhe më mbështesin. Mami im qau për këtë situatë dhe e kuptoi që është një çmenduri e madhe. Kam qenë 12 vjeçe kur nisa të luaj volejboll, dhe tani, vetëm tre muaj pas ardhjes këtu, e gjej veten në këtë situatë.”
Ferreira e konsideron vendimin si diskriminim dhe e sheh si të paarsyeshëm: “Kjo situatë për mua është diskriminim. Nuk më dhanë asnjë informacion apo dokument që të shpjegonte vendimin. Kam bërë testin e gjakut vetëm për veten time, jo për të provuar diçka. Vajzat e ekipit tim më kanë mbështetur plotësisht.”
Sportistja ka njoftuar se do të marrë hapa të mëtejshëm për të siguruar të drejtat e saj, por vetëm kur të ndihet e gatshme: “Patjetër që do ta bëj këtë gjë, por kur të ndihem vetë gati.”
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka riaktualizuar debatet mbi diskriminimin dhe trajtimin e sportistëve që nuk përshtaten me normat tradicionale gjinore.
