Shqipëria për rekord në “Fair Play”, kuqezinjve iu mungon agresiviteti
Shqipëria po realizon ëndrrën e të gjithëve për të marrë pjesë në një Kupë Bote.
Kuqezinjtë do të luajnë dy finalet e fundit, fillimisht ndaj Andorrës e më pas ndaj Anglisë, për të arritur diçka që do të ishte historike pasi asnjëherë më parë nuk ka mundur të jetë në “Play Off”. Padyshim që grupi i kuqezinjve ka qenë shumë i vështirë, pasi ka pasur kundërshtarë si Anglia e Serbia, me këta të fundit që ia ka dalë më së miri pasi ka marrë një barazim dhe një fitore në ndeshjet direkte mes tyre.
Pikërisht ndaj serbëve pritej të ishin ndeshje të luftuar dhe ndoshta më agresive në fushë, për shkak edhe të problemeve që janë shkaktuar shpesh herë jashtë futbollit. Por, Shqipëria është për rekord në këto kualifikuese pasi është padyshim një nga skuadrat më pak të ndëshkuara me kartonë të verdhë. Në 6 ndeshjet e para që ka luajtur, kuqezinjtë kanë marrë vetëm 5 kartonë të verdhë, të cilët janë ndarë në disa ndeshje dhe ka sfida ku nuk ka pasur asnjë ndëshkim.
Dy herë ka marrë të verdhë Berat Gjimshiti, ndërkohë që nga një karton kanë marrë Juljan Shehu, Mario Mitaj dhe Rei Manaj. Sulmuesi nga Lushnja u ndëshkua pas golit që shënoi në Leskovc kundër Serbisë, teksa ndaj serbëve janë ndëshkuar edhe Shehu e Mitaj. Gjimshiti është ndëshkuar në dy ndeshje të dnryshme, fillimisht ndaj Anglisë e më pas ndaj Serbisë, duke mbetur jashtë për sfidën me Letoninë.
PANORAMASPORT.AL
