Thu, Oct 30, 2025

“Mirëmbajtja Rrugore”, si kamufloheshin trafikantët e armëve që u zbuluan në “Myslym Shyri”! Furgoni ruhej me civilë për të parë se kush hynte! Si u bë ndërhyrja nga efektivët

  • PublishedOctober 30, 2025

Trafikantët e municioneve dhe armatimeve të sekuestruara një ditë më parë nga Policia e Tiranës, kanë përdorur si kamuflim një furgon të loguar me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”.

Mësohet se ky mjet kishte më shumë se një muaj që qëndronte i parkuar në zonë dhe se është ruajtur me efektivë civilë për të zbuluar kush hynte dhe kush dilte nga furgoni.

Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve

Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, është në emër të të arrestuarit Eugert Sino.

I riu i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka dijeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.

armet

Njoftimi i policise

Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”.

Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.

Sekuestrohen 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.

Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.