Fri, Oct 31, 2025

Shoferi i “Porsche” i mori jetën 17-vjeçarit, policia aksion “blic” në Vlorë! Kontrolle makinave luksoze në zonën e Skelës

  • PublishedOctober 30, 2025

Forcat e rendit kanë zhvilluar mbrëmjen e sotme një aksion “blic” në zonën e Skelës, në Vlorë, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Operacioni vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku një 17-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet luksoz tip “Porsche”.

Gjatë aksionit, policia ka ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, duke ndaluar për verifikim automjetet luksoze dhe ato me xhama të zinj.

Burime nga policia bëjnë me dije se kontrollet janë përqendruar tek personat me precedentë penalë, ata që janë në kërkim, si dhe tek qytetarët që mund të mbajnë armë të ftohta apo armë zjarri pa leje.

Sipas informacioneve zyrtare, ky aksion është pjesë e një operacioni më të gjerë që do të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit të Vlorës, me synim forcimin e rendit dhe qetësisë publike.

Forcat e rendit kanë deklaruar se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në kuadër të planit të masave për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda.