Do marrë pjesë në seancën në Kushtetuese, Erion Veliaj lë burgun, nën masa të rrepta sigurie niset drejt Tiranës
Ish kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë ambientet e qelisë në burgun e Durrësit dhe është nisur drejt Tiranës, ku do të marrë pjesë në seancën në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra.
Në masa të rrepta sigurie Veliaj është nisur me furgonin e policisë, i shoqëruar edhe nga efektivë të burgjeve.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese njoftoi më herët praninë e Veliajt në seancë, pasi kishte shprehur vullnetin e tij.
Gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve marrjen e masave për shoqërimin e tij nga paraburgimi i Durrësit, ku ndodhet prej muajit shkurt, si edhe SPAK-un.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn pas propozimit të Këshillit Bashkiak duke u mbështetur me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.
Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por edhe këtë e ankimoi në Kushtetuese. Dekreti i Presidentit u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
 
                        
 
						 
						 
						 
						 
						 
						