Sun, Nov 2, 2025

Milani “merr frymë”, Rafael Leao bëhet gati për Romën

  • PublishedNovember 1, 2025

Lajme të rëndësishme nga Milanelo në prag të ndeshjes mes Milanit dhe Romës. Trajneri Masimiliano Alegri “merr frymë” disi më lehtë: Rafael Leao është rikuperuar dhe është stërvitur me grupin pas disa ditësh në infermieri për shkak të një inflamacioni në ije.

Portugezi do të jetë në dispozicion për takimin e fundjavës, edhe pse aktivizimi i tij nga minuta e parë mbetet në dyshim. Sipas raportimeve nga “SportMediaset”, stafi teknik po mendon me kujdes për të mos rrezikuar rikthimin e parakohshëm të Leao, i cili pritet të jetë pjesë e formacionit vetëm nëse ndjen 100% gatishmëri fizike. Në rast se trajneri vendos ta ruajë si rezervë, në planin e parë del Kristofer Nkunku, i cili pritet të ketë mundësinë e parë si titullar në Serie A që nga ardhja e tij te kuqezinjtë. Francezi është paraqitur mirë në stërvitje dhe mund të formojë një dyshe interesante me Ruben Loftus-Cheek, që ka treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit.

Kombinimi i tyre mund të sjellë më shumë lëvizshmëri dhe kreativitet në fazën ofensive, elementë që Milanit i kanë munguar gjatë javëve të fundit. Nga ana tjetër, Pulisiç mbetet jashtë për shkak të një problemi muskulor dhe pritet të rikthehet për ndeshjen ndaj Parmës. Himenez do të mungojë gjithashtu, pasi ende nuk ka kaluar plotësisht shqetësimin në këmbë, ndërsa Tomori vazhdon të punojë veçmas për të rikuperuar formën. Në mesfushë, Jashari dhe Estupinan janë rikthyer në grup dhe janë në dispozicion të plotë.

Alegri vlerëson mundësinë për t’i përdorur që nga minuta e parë, për të dhënë më shumë ekuilibër dhe freski në ndërtimin e lojës. Sipas burimeve pranë klubit, Milani po bashkëpunon me federatat përkatëse për të shmangur thirrjet ndërkombëtare të disa lojtarëve në ndeshjet e ardhshme të përfaqësueseve.

Në veçanti, synohet që SHBA të lirojë Pulisiç dhe Franca të bëjë një përjashtim për Rabiot, në mënyrë që lojtarët të kenë më shumë kohë rikuperimi gjatë pauzës së kombëtareve. Atmosfera në Milanelo është pozitive, me skuadrën që kërkon të kthehet te fitorja dhe të ruajë kontaktin me kreun e renditjes. Ndeshja me Romën shihet si një test i rëndësishëm për të matur progresin e skuadrës nën drejtimin e Alegrit dhe për të kuptuar nëse rikthimi i Leao-s do të japë energjinë e munguar në javët e fundit.

IGLI ÇUTRA – PANORAMASPORT.AL