Elisa Spiropali në Hagë: Lufta për liri nuk mund të njolloset! Gjykata Speciale të japë drejtësi për krerët e UÇK-së
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në ambientet e paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një postim në Facebook, Spiropali tha se Gjykata Speciale duhet të garantojë drejtësi historike për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare e besoj të gjithë popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, tha Spiropali.
Spiropali tha se rëndësia e luftës së bërë nga Kosova për të mbrojtur të dashurit e tyre dhe shtëpitë e tyre.
Qëllimi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë sulmi ndaj një shteti tjetër, theksoi Spiropali.
“Është me rëndësi të madhe edhe një herë të theksohet që populli i Kosovës, djemtë e vajzat e Kosovës, u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend, e kurrsesi për të agresuar apo sulmuar një popullatë apo një vend tjetër. Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset. Kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia, dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë”, tha Spiropali.
Deklarata e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali pas takimit me Ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e Paraburgimit të Gjykatës Speciale:
Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova Presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare dhe besoj të gjithë popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Më vjen mirë që e gjeta Presidentin Thaçi në gjendje të mirë; ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë.
I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Rama për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund duhet të prodhojë drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike.
Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës, për të votuar dhomat e specializuara dhe Gjykatën Speciale, të mos kthehet në të kundërtën e vet, por të respektojë procesin e rregullt ligjor, të drejtat e njeriut dhe, mbi të gjitha.
Ne urojmë që besimi që Shqipëria, Kosova dhe gjithë shqiptarët kanë ndaj drejtësisë ndërkombëtare të rezultojë i përligjur deri në fund.
Është me rëndësi të madhe të theksohet edhe njëherë se populli i Kosovës, djemtë dhe vajzat e Kosovës u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend, dhe kurrsesi për të agresuar apo sulmuar një popullatë apo një vend tjetër.
Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset; kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë, në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia dhe sakrificat e një populli të tërë të mos shkelen me këmbë. Besim deri në fund.
Jam e bindur që, pas dëshmive të dhëna këtu, por edhe pas një procesi të rregullt ligjor, ne do të mund të shohim më në fund drejtësi për luftëtarët, por edhe drejtësi për Kosovën dhe për të vërtetën e saj.
