VIDEO/ Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrën e kryebashkiakut Erion Veliajn, mbështetësit e tij hedhin fishekzjarrë jashtë burgut të Durrësit
Pas njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës, mbështetësit e tij janë mbledhur për të festuar.
Mbështetësit e Veliajt janë mbledhur jashtë ambienteve të burgut të Durrësit ku ai qëndron që prej shkurtit të këtij viti dhe kanë hedhur fishekzjarrë.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për të rrëzuar kërkesën e Këshillit të Ministrave dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në Tiranë, duke i dhënë të drejtë Erion Veliajt që të vijojë detyrën si kryetar i Bashkisë.
Pas një seance që përfundoi rreth orës 17:30, trupa gjyqësore shpalli vendimin me pesë vota pro dhe tre kundër, duke e cilësuar të pavlefshëm shkarkimin e Veliajt dhe të papërshtatshëm dekretin për zgjedhje të reja në Tiranë.
Mësohet se kundër ankimimit të tij ka votuar vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj si dhe dy anëtarët Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.
Pro rikthimit të Veliajt në detyrë kanë votuar 5 anëtarë të GJK, Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.
Praktikisht, edhe pse ndodhet në paraburgimin e Durrësit për shkak të hetimeve të SPAK, Veliaj rikthehet në detyrë si kryetar i Bashkisë Tiranë.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese i lë hapësirë Këshillit Bashkiak të nisë një procedurë të re për shkarkimin e Veliajt, por vetëm nëse Qeveria arrin të provojë se ai ka kryer shkelje të rënda.
Në të kundërt, zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës mund të zhvillohen vetëm në rast se Veliaj dënohet me vendim të formës së prerë nga GJKKO (Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar).
                        
						
						
						