Paul McCartney rrëfen: Pas Beatles isha si i vdekur
Pas shpërbërjes së Beatles në vitin 1970, Paul McCartney kaloi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Në librin e ri “Wings: The Story of a Band on the Run”, muzikanti 83-vjeçar rrëfen se ndjeu sikur ishte “i vdekur”. Ai kujton se pas përfundimit të grupit legjendar, ndodhej i zhytur në konflikte ligjore dhe personale që i kishin shteruar çdo energji.
McCartney kthehet pas në kohë dhe përmend edhe thashethemet e vitit 1966, kur u përhap fjala se kishte vdekur në një aksident automobilistik dhe ishte zëvendësuar nga një sozi. “Si mund të jem i vdekur?”, i kishte thënë me shaka bashkëshortes së tij, Lindës, por më vonë e kuptoi se në shumë mënyra ndjehej vërtet i tillë. “Isha 27 vjeç, ish-anëtar i Beatles, i humbur në një det përplasjesh që më thithnin jetën. Kisha nevojë për një rifillim total”, shkruan ai.
Në vitin 1970, McCartney paditi tre ish-anëtarët e grupit – John Lennon, George Harrison dhe Ringo Starr – për të shpërbërë zyrtarisht partneritetin e tyre, pasi nuk donte që menaxheri Allen Klein të kontrollonte financat e Beatles. Gjykata i dha të drejtë, dhe më vonë ai tha se “ishte mënyra e vetme për të shpëtuar Beatles dhe Apple”.
Pas ndarjes, McCartney u tërhoq në fermën e tij në Skoci, ku gjeti paqe dhe frymëzim të ri. Ai e përshkruan këtë periudhë si një “aventurë të egër”, ku për herë të parë pas shumë vitesh ndjeu se mund të drejtonte vetë jetën e tij.
