Wed, Nov 5, 2025

Buzëqesh Allegri, Pulisiç e Rabiot rikthehen, Milan gjen akordin me Pochettino-n

  • PublishedNovember 5, 2025

Pas një muaji mungesë për shkak të dëmtimit, Christian Pulisic është gati të rikthehet në fushë kundër Parmës, por këtë herë pa rrezik nga kombëtarja. Trajneri i Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino, ka vendosur ta lërë pushim për miqësoret e nëntorit ndaj Paraguait dhe Uruguait, pas polemikave të grumbullimit të fundit që i kushtoi një dëmtim muskulor.
Një vendim që vjen si lajm i mirë për Milanin dhe Massimiliano Allegrin, të cilët mund ta menaxhojnë me kujdes rikthimin e amerikanit në prag të derbit të fundmuajit.

Milanello do të qëndrojë edhe Santiago Giménez, i cili nuk është përfshirë në listën paraprake të Meksikës dhe po trajtohet për një problem në kyçin e këmbës. Sulmuesi e ka pranuar vetë në rrjetet sociale se ka luajtur me dhimbje prej muajsh dhe tani ka vendosur të ndalet për t’u rikuperuar.

Ndërkohë, Adrien Rabiot është thirrur nga Didier Deschamps për ndeshjet kualifikuese të Francës ndaj Ukrainës dhe Azerbajxhanit. Mesfushori, që po rikuperohet nga një problem në pulpë, pritet të humbasë sfidën me Parmën dhe të synojë rikthimin në derbi. Milani shpreson që përfaqësuesja franceze të mos e rrezikojë, duke qenë se mesfushori ende nuk ka rikuperuar në 100% pas dëmtimit, pavarësisht se Allegri pritet ta grumbullojë atë për transfertën e “Tardinit” kundër Parmës.