Thu, Nov 6, 2025

Pushteti që nuk tronditet, pse korrupsioni s’i bën përshtypje askujt?

  • PublishedNovember 6, 2025

NGA ARDIAN BUSHI 

Në çdo vend normal, lajmi se zëvendëskryeministrja është marrë e pandehur për një tender të dyshuar si korruptiv do të ishte tronditës. Do të shkaktonte dorëheqje, kriza qeveritare, mocione mosbesimi, protesta publike dhe një rënie drastike të besimit ndaj pushtetit.

Por, normaliteti duket luks në këtë vend paradoksesh.

Marrja e pandehur nga SPAK e Belinda Ballukut, një prej figurave më të fuqishme të qeverisë “Rama” për aferën e dyshuar të tunelit të Llogarasë, deri tani nuk ka prodhuar as ndonjë valë tronditjeje politike, as ndonjë reagim masiv publik. Në vend të një krize morale e politike, ajo çfarë duket është një shoqëri e mpirë dhe një pushtet që mbetet i qetë, i konsoliduar, madje edhe më i sigurt. Balluku është vetëm hallka më e fundit në një zinxhir të gjatë skandalesh që kanë përfshirë nivelet më të larta të qeverisë socialiste. Para saj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një nga figurat më të rëndësishme dhe më ambicioze të Partisë Socialiste, ndodhet nën arrest për korrupsion, lidhur me abuzime në kontrata publike. Ishzv.kryeministri Arben Ahmetaj, dikur një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës, është në arrati, i akuzuar për përfshirje në aferat e inceneratorëve. Të tjerë ish-ministra, ish-drejtorë dhe figura të rëndësishme socialiste janë nën hetim ose nën akuzë.

Në pamje të parë do të dukej se kjo është goditja më serioze që një forcë politike mund të marrë brenda vetes. Por, paradoksalisht, Partia Socialiste vazhdon të jetë forca më e fuqishme në vend, vazhdon të fitojë zgjedhje, të kontrollojë institucionet dhe të ruajë mbështetje të qëndrueshme në publik. Kjo është një anomali që meriton reflektim të thellë. Si ka mundësi që një parti e përfshirë në kaq shumë skandale korrupsioni, me disa nga figurat e saj më të njohura nën akuzë, mbetet e pathyeshme në zgjedhje dhe në pushtet?

Një pjesë e përgjigjes lidhet me mënyrën se si është ndërtuar sistemi politik dhe mediatik në vend. Partia Socialiste ka arritur, në më shumë se një dekadë në qeveri, të ndërtojë një rrjet kontrolli institucional dhe komunikues që e bën pothuajse të pamundur që skandalet të kthehen në dëm elektoral. Qeveria kontrollon shumicën e bashkive, një pjesë të madhe të mediave përmes reklamave shtetërore dhe ndikimit ekonomik, si dhe një administratë publike të politizuar që vepron më shumë si mjet elektoral sesa si aparat shtetëror. Në këto kushte, çdo krizë, edhe ajo më e madhe, përpunohet, neutralizohet dhe zhduket nga vëmendja e opinionit publik.

Por, ky nuk është vetëm problem struktural. Ka edhe një aspekt sociologjik e moral: shoqëria shqiptare është bërë e pandjeshme ndaj korrupsionit. Ajo e konsideron korrupsionin si pjesë normale të jetës publike. Kur dëgjon që një ministër apo kryebashkiak është nën hetim, reagimi i parë nuk është më “sa turp”, por “edhe ky u kap”. Në vend që të ndëshkohet politikisht, korrupsioni perceptohet si një fatalitet i natyrshëm, si pjesë e një kulture ku askush nuk beson realisht se politika mund të jetë ndryshe. Kështu, qytetarët nuk reagojnë, nuk protestojnë, dhe shpesh as nuk ndryshojnë votën. Në anën tjetër, opozita, që duhet të përfitonte politikisht nga një situatë e tillë, është treguar e paaftë për ta kapitalizuar këtë moment. Partia Demokratike, e ndarë dhe e përçarë, e humbur mes sherreve të brendshme dhe mungesës së besueshmërisë, nuk ka arritur të krijojë një alternativë reale. Ajo nuk ka energjinë, unitetin dhe besimin e nevojshëm për të përfaqësuar moralin e një shoqërie të lodhur nga korrupsioni. Për pasojë, edhe kur pushteti goditet nga drejtësia, opozita nuk përfiton. Rënia e moralit të një pale nuk prodhon automatikisht ngritjen e moralit të palës tjetër. Nëse këto ngjarje do t’i kishin ndodhur PD-së në pushtet, me siguri qeveria do të kishte rënë. Presioni publik, mediatik dhe ndërkombëtar do të kishte qenë shumë më i fortë.

Por, Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë ndërtuar një model të ri të qëndrueshmërisë politike: një pushtet që nuk bie as kur goditet nga drejtësia. Ky model bazohet në tri shtylla, kontrollin e narrativës publike, shpërndarjen e favoreve përmes pushtetit ekonomik dhe përdorimin e SPAK-ut si provë e “moralitetit” të vetë qeverisë. Sa herë që një zyrtar socialist merret i pandehur, Rama paraqitet si garant i reformës në drejtësi, duke pretenduar se vetë ai po pastron sistemin nga elementët e korruptuar.

Kështu, përgjegjësia politike transformohet në meritë morale.

Në këtë mënyrë, drejtësia, që në teori duhet të jetë armiku më i madh i pushtetit të korruptuar, në praktikë është kthyer në një mekanizëm që, paradoksalisht, forcon pushtetin ekzistues. Sa më shumë socialistë hetohen, aq më shumë Edi Rama fiton imazhin e liderit që “nuk mbron askënd”. Kjo strategji, e kombinuar me pasivitetin qytetar dhe pafuqinë e opozitës, ka krijuar një realitet politik ku skandalet nuk shkaktojnë më tronditje.

Sot, Shqipëria është në një pikë ku drejtësia duket më aktive se kurrë, por morali publik më i ulët se asnjëherë. SPAK po godet individë, por ende nuk ka arritur ende të godasë sistemin që i prodhon ata. E ndërsa drejtësia përpiqet të pastrojë baltën, politika e përdor atë si dekor për të treguar sa “e pastër” është.

Deri kur kjo lojë do të funksionojë, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: pushteti që nuk tronditet nga korrupsioni, është pushtet që e ka bërë korrupsionin pjesë të natyrës së vet.

/Gazeta Panorama