Thu, Nov 13, 2025

Eddie Murphy rrëfen për herë të parë betejën me çrregullimin obsesiv-kompulsiv

  • PublishedNovember 13, 2025

Aktori dhe komediani i njohur amerikan, Eddie Murphy, ka folur për herë të parë publikisht për përvojën e tij me çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), në dokumentarin e ri të Netflix, “Being Eddie”.

Ylli 64-vjeçar zbulon se simptomat i kishte vënë re që fëmijë, por atëherë nuk e dinte se çfarë po përjetonte. “Kur isha i vogël, kontrolloja sobën disa herë në natë për t’u siguruar që gazi ishte fikur. Mendoja se po bëja gjëra të çuditshme, por nuk e dija pse,” tregon Murphy.

Ai shton se askush në familjen e tij nuk e kishte kuptuar situatën. “Nëna ime nuk e dinte. Bëja edhe zhurma të çuditshme kur shikoja televizor dhe nuk mund ta shpjegoja dot.”

Për herë të parë, ai e kuptoi çfarë kishte, kur si adoleshent pa një lajm për OCD-në. “Thashë me vete, ‘Kjo është ajo që kam unë’. Por pastaj mendova: ‘Jo, nuk dua të kem ndonjë sëmundje mendore,’ dhe u përpoqa ta ndaloj,” kujton aktori.

Sipas Klinikës Mayo, OCD karakterizohet nga mendime të padëshiruara dhe sjellje të përsëritura që shkaktojnë ankth dhe shqetësim të vazhdueshëm.

Murphy pranon se simptomat nuk janë zhdukur plotësisht: “Ende kontrolloj sobën çdo natë, por nëse e bëj më shumë se një herë, i them vetes të ndaloj.”

Dokumentari “Being Eddie” sjell një portret të sinqertë të jetës së Murphy-t – nga fëmijëria në New York, deri te fama botërore që e shndërroi në një nga komedianët më të dashur të Hollivudit. Ai është tashmë i disponueshëm në Netflix.