Anglia “fshin” edhe Serbinë, Tuchel pranë një rekordi unik
Me 21 pikë të plota në 7 ndeshje, 20 gola të shënuar 0 të pësuar, Anglia vijon rrugëtim perfekt në kualifikueset e Botërorit. “Tre Luanët” jo vetëm që nuk toleruan asgjë kundër Serbisë, por triumfuan me rezultatin 2-0 duke qenë shumë pranë një rekordi unik. Nëse edhe ndaj Shqipërisë arrijnë të mbajnë portën të paprekur, Anglia do të bëhej ekipi i parë Evropian që shkon në një Botëror pa asnjë gol të pësuar. Tuchel nuk preferoi të bënte ndonjë rotacion të ndjeshëm edhe pse në përfaqësuese ishin kthyer lojtarë si Bellingham e Foden.
Në minutën e 28-të ishte Saka i cili me një goditje fluturimthi brenda në zonë kaloi Anglinë në avantazh. Serbia u përpoq të rikthehej në lojë, por Vlahovic dhe pjesa tjetër e fazës ofensive nuk ishin efikas përpara porte. Për të hipotekuar këtë sukses mendoi Eze, i cili ashtu si Saka realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 90-të. Me të drejtë, Tuchel feston pas këtij suksesi ndaj një rivali të fortë në sytë e tij:
“Ishte një ndeshje e vështirë, e ndërlikuar, ndaj një ekipi me lojtarë që luajnë në ligat më të rëndësishme, për më tepër që vinin në këtë ndeshje me energji të reja, për ta ishte një finale. Hasëm disa vështirësi, por kjo është normale, nuk mund të fitosh çdo ndeshje 2-0, 3-0 apo 5-0. E rëndësishme është që mbajtëm portën të paprekur. Ne po ndërtojmë një ekip”, u shpreh Tuchel pas suksesit 2-0 përballë Serbisë.
()
