Pse Sarah Jessica Parker do të nderohet me një tjetër Glob të Artë?
Sarah Jessica Parker do t’i shtojë një tjetër Golden Globe koleksionit të saj tashmë gjashtë herë të fituar. Ylli i ” Sex and the City” dhe ” And Just Like That”, e cila së fundmi u bë anëtare e jurisë së Çmimit Booker 2025, do të nderohet me Çmimin Carol Burnett 2026 në ceremoninë e ardhshme të ndarjes së çmimeve më 11 janar 2026.
Çmimi njeh kontributet e saj në industrinë televizive , si para ashtu edhe pas kameras, sipas organizatës. “Karriera e saj përfaqëson frymën e vërtetë të Çmimit Carol Burnett”, tha presidentja e Golden Globes, Helen Hoehne.
“Ndikimi i saj gjithëpërfshirës në televizion dhe përkushtimi i saj ndaj rrëfimit të historive si në skenë ashtu edhe në ekran kanë lënë një gjurmë të jashtëzakonshme në kulturën pop. Jemi të nderuar të festojmë kontributet e saj të jashtëzakonshme në argëtim.”
Por si u bë aktorja e njohur anëtare e jurisë së Çmimit Booker të këtij viti? Ishte tre vjet më parë kur ajo kishte bërë një apel online, në profilin e Çmimit Booker në Instagram, për të marrë pjesë në juri: “Ju lutem, më lejoni të provoj!”.
Dhe kështu, këtë vit asaj iu dha kjo mundësi, pasi u bë një nga pesë anëtarët e saj.
Por siç thonë, kini kujdes çfarë dëshironi, sepse për t’u përballur me këtë, sipas një interviste të re me New York Times, asaj iu kërkua të merrte përsipër sfidën e leximit të mbi 150 librave në rreth tetë muaj, deri në atë pikë sa të abstenonte nga aktivitetet familjare. Megjithatë, kjo përvojë, beson ajo, e ndihmoi të kultivonte mendimin e saj kritik rreth prozës dhe i dha mjaftueshëm vetëbesim për të ndjerë se mund t’i mbrojë romanet që i pëlqejnë me argumente. Ishte një “përvojë për gjithë jetën”, siç e tha ajo.
Në fakt, si pjesë e këtij roli, ajo u prit nga Mbretëresha Camilla së bashku me anëtarët e tjerë të jurisë, autorë të shquar dhe mbështetës të tjerë të çmimit.
