U ndaluan nga policia për armëmbajtje pa leje, jepet dënimi për Loredanën dhe futbollistin
Karim Adeyemi, sulmuesi i kombëtares gjermane dhe ylli i Borussia Dortmundit, është gjobitur me një shumë prej 450,000 eurosh nga autoritetet gjermane. Vendimi vjen pas zbulimit të armëve të ndaluara në pronësinë e tij dhe të partneres, këngëtares me origjinë shqiptare, Loredana Zefi.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, ngjarja ka ndodhur rreth një vit më parë, kur policia gjeti “dy objekte të klasifikuara si armë të ndaluara” në sendet e çiftit, duke nisur menjëherë procedurat penale, shkruan Insajderi.
Gjykata gjermane ka vendosur një gjobë të ashpër ndaj Adeyemit, e cila është shuma totale prej 450 mijë eurosh. Kjo gjobë do të shlyhet në 60 këste mujore, nga 7,500 euro secila. Edhe pse nuk u dha dënim me burg apo shënim penal, mediat vendase e kanë cilësuar incidentin si një “goditje serioze për imazhin e një futbollisti të kombëtares”.
Adeyemi nuk ka bërë një koment publik. Megjithatë, përmes menaxherit të tij, Jorge Mendes, u dha sqarimi se armët nuk ishin blerë qëllimisht prej tyre, por kishin ardhur si pjesë e një “mystery box” të porositur përmes TikTok – një pretendim që ligjërisht nuk e heq përgjegjësinë për posedimin e tyre.
Borussia Dortmund reagoi menjëherë me një deklaratë zyrtare duke theksuar se klubi “e merr shumë seriozisht çdo çështje penale” dhe se është në komunikim të vazhdueshëm me lojtarin dhe autoritetet. Klubi nuk ka konfirmuar nëse priten masa të brendshme disiplinore, ndërsa mediat gjermane vlerësojnë se incidenti forcon kritikat për sjelljen e tij jashtë fushës dhe se një hetim i brendshëm nga Dortmundi pritet të hapet.
