Paralajmërim i rreptë për koncertin e Kanye West në Sao Paulo
Autoritetet në Sao Paulo kanë vendosur masa të rrepta sigurie për koncertin e ardhshëm të Kanye West, i cili do të mbahet më 29 nëntor në hapësirën e hipodromit të Interlagos. Reperi, i njohur për deklaratat e tij të diskutueshme gjatë viteve të fundit, po përballet me paralajmërime serioze nga zyrtarët lokalë, të cilët janë shprehur se çdo referencë ndaj nazizmit apo regjimeve fashiste do të sjellë pasoja të menjëhershme ligjore.
Kryebashkiaku i qytetit, Ricardo Nunes, u shpreh publikisht se në territorin e Sao Paulos nuk do të tolerohet asnjë mesazh që bie ndesh me ligjin kundër promovimit të ideologjive ekstreme. Ai theksoi se nëse gjatë performancës reperi përdor terma, tekste apo gjeste që lidhen me nazizmin, policia do të ndërhyjë menjëherë. Sipas tij, kjo masë synon të mbrojë qytetin nga çfarëdo forme propagande të rrezikshme, pavarësisht se West ka shprehur kohët e fundit pendesë për komentet e tij antisemitike.
Edhe organizatorët e koncertit, Guilherme Cavalcante dhe Jean Fabrício Ramos, janë vënë në qendër të përgjegjësisë ligjore: nëse artisti shkel rregullat, edhe ata rrezikojnë arrestimin si pjesë e përgjegjësisë organizative.
Situata është tensionuar më tej pas një ankese të paraqitur nga këshilltarja Cris Monteiro, e cila denoncoi publikisht një këngë të West të titulluar “Heil Hitler”. Ankesë që çoi prokuroren Ana Beatriz Pereira de Souza Frontini të lëshonte një urdhër zyrtar që ndalon shfaqjen ose shitjen e çdo simboli nazist në event.
Me këtë paketë masash, autoritetet e Sao Paulos synojnë të shmangin incidentet dhe të garantojnë që koncerti të zhvillohet pa provokime që cenojnë rendin publik.
