Kevin Spacey bën deklaratën e papritur: Unë nuk kam shtëpi!
Aktori i njohur amerikan Kevin Spacey ka folur për gjendjen e tij financiare dhe jetën pas skandaleve që e vunë në qendër të vëmendjes mediatike ndërkombëtare. Spacey u lirua përfundimisht nga akuzat për sulm seksual të ngritura nga katër burra në Mbretërinë e Bashkuar, por ai pranon se kostot e shtatë viteve të fundit kanë qenë “astronomike”.
“Unë jetoj në hotele, jetoj në apartamente Airbnb, shkoj aty ku është puna”, tha fituesi i çmimit Oscar për The Telegraph në një intervistë të botuar të mërkurën, duke shtuar: “Unë fjalë për fjalë nuk kam shtëpi, kjo është ajo që po përpiqem të shpjegoj”.
“Gjendja ime financiare nuk është e shkëlqyer, por falimentimi nuk ndodhi kurrë. Kisha shumë pak të ardhura dhe shumë shpenzime,” tha aktori. Ai gjithashtu komentoi për bojkotin që përjetoi në Hollywood, duke theksuar se po e kapërcen atë: “Në një mënyrë të çuditshme, ndihem sikur jam kthyer aty ku fillova… gjithçka është në magazinë dhe shpresoj që në një moment të vendos se ku dua të vendosem përsëri.”
Spacey është akuzuar nga mbi 30 burra, përfshirë aktorin e “Star Trek: Discovery”, Anthony Rapp, për sjellje të papërshtatshme ose sulm seksual, me akuzat që filluan të dalin në vitin 2017. Netflix e hoqi atë nga seriali “House of Cards”, ndërsa bashkë-aktorja Robin Wright e zëvendësoi në krye.
Në korrik 2023, ai u lirua nga akuzat në Britaninë e Madhe dhe në një padi të vitit 2022 në Nju Jork u shpall i pafajshëm. Gjatë publikimit të dokumentarit “Spacey Unmasked” në 2024, aktori mohoi përsëri çdo shkelje, duke thënë se nuk mund të lejonte më veten të sulmohej pa bazë.
Në maj të këtij viti, Spacey pranoi një çmim për arritje jetësore në Kanë, duke përshkruar vitet e fundit si “sfiduese”, por gjithsesi të mbushura me mësime dhe përvojë personale.
