“Nuk doja Italinë dhe Uellsin, ndaj qesha”, Duka për shortin: Polonia ekip i fortë, luajmë shanset tona në Varshavë
Shqipëria dhe Polonia do masin forcat në Play Off të Botërorit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë komentin e tij, menjëherë pas hedhjes së goglave.
“I buzëqeshur? Ndodhi kështu në fakt çifti i parë nuk më pëlqente, Italia dhe Uellsi. Më vjen mirë që eliminuam ato të parë dhe ndaj qesha, kur i shmangëm këto.
Nuk kam ndonjë preferencë, pasi të gjitha janë të forta. I gëzuar dhe i buzëqeshur jam, pasi jemi këtu. Falenderojmë futbollistët dhe stafin që na mundësuan të luajnë në “Play-Off”. Polonia një kundërshtar i fortë, të gjithë janë të fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona. Do të luajmë në Varshavë në mars.
Shorti i favorshëm? Ndeshjet e futbollit as nuk fitohen as nuk humben në short. Ne ishim të mërzitur për shortin e kualifikueseve, por në fund dolëm të dytët. Shpresojmë që të kemi futbollistët gati dhe në formë të mirë. Të mos kenë dëmtime dhe t’i kemi të gjithë.
Sllovakia, ishte dëshira juaj? Në fakt më dukej një kundërshtar më i përshtatshëm, me diferencat që janë më të vogla ose hic. Në një diskutim që bëmë rrugës, unë shpreha dëshirën për Sllovakinë, ndërsa të tjerët për Uellsit.
Kosova a ka shanse? Kosova është një ekip i mirë, po kalon një moment të mirë. Shpresoj të jetë kështu edhe në mars. I ka të gjitha mundësitë për të kaluar Sllovakinë dhe për të sfiduar më pas Turqinë ose Rumaninë. I ka të gjitha shanset për të fituar edhe finalen dhe për të qenë pjesë e Botërorit”, përfundon Duka.
