Gjykata vendos vazhdimin e masave të sigurimit ndaj Belinda Ballukut e dy vartësve të saj
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartësit e saj. Po ashtu, u vendos vijimi i masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit Erald Elezi me funksion aktual administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare,KESH dhe për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli. Gjykata urdhëron SPAK dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Energjetikës dhe Infrastukturës, Belinda Balluku, si dhe Gjyli e Elezi nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve kur hynë dhe dolën nga ambjentet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ku qëndruan për rreth pesë e orë e gjysmë gjatë seancës me objekt marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, të caktuar më 19 nëntor.
Balluku, ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi e vartës të tjerë të saj, akuzohen se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Masat e sigurimit ndaj Ballukut, si dhe ndaj vartësve të saj që drejtojnë KESH dhe ARRSH, janë të nevojshme pasi mund të dëmtojnë provat, të ndikojnë tek punonjësit e këtyre institucioneve që janë duke u pyetur si dëshmitarë, mund të vijojnë të abuzojnë me fondet publike, si dhe se mund të arratisen. Masat e sigurimit ndaj Ballukut çmohen nga gjykata se, nuk e oengojnë atë të ushtrojë funksionin si e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama sulmoi SPAK-un një ditë më parë lidhur me mesat e caktuara ndaj Ballukut dhe deklaroi se mazhoranca do ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që qeveria do të operojë pa zëvendëskryeministër dhe pa ministër të Energjisë dhe Infrastrukturës.
